Raport inkurajues për avancim reformues, nevojiten përpjekje për zgjidhjen e kontestit me Sofjen

Komisari evropian për zgjerim Oliver Varheji, dje për herë të parë në mandatin e tij i prezantoi raportet e rregullta për avancim reformues të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, Maqedonia e Veriut shënon avancim në shumë sfera, por duhet të investojë përpjekje shtesë për mediumet, antidiskrimimin dhe gjuhën e urrejtjes, njëkohësisht të angazhohet me Sofjen për tejkalimin e kontestit që të shmanget bllokada në nëntor, njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Për Maqedoninë Veriut, është vlerësuar përparim në shumicën e fushave, por edhe pjesë ku nevojiten përpjekje shtesë, siç janë media dhe legjislacioni për parandalimin e diskriminimit.

Gjyqësori, si pjesë themelore e procesit të integrimit evropian, duhet të vazhdojë të përmirësohet, por vlerësohet “përparim i mirë” në zbatimin e strategjisë së reformës për gjyqësorin. Ligji për Prokurinë Publike, ndër të tjera, ka për detyrë të sigurojë një zgjidhje të qëndrueshme për rastet që vijnë nga përgjimet e paligjshme.

Lufta kundër korrupsionit, gjithashtu një pjesë themelore e procesit të integrimit në BE, ka bërë përparim të mirë në hetimin, ndjekjen penale dhe marrjen e vendimeve të çështjeve të profilit të lartë të korrupsionit dhe veçanërisht mirëpritet puna e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit dhe roli i tij proaktiv në këtë fushë.

“Korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe një qasje më proaktive duhet të sigurohet nga të gjithë aktorët e përfshirë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit”, citohet në raport.

Megjithëse Maqedonia e Veriut ka një kornizë ligjore në përputhje me standardet e BE-së për mbrojtjen e të drejtave themelore, një dobësi e madhe për momentin është se vendi nuk ka një ligj gjithëpërfshirës anti-diskriminimi pasi ligji u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese për gabimet procedurale.

KE-ja e konsideron këtë si një “mangësi serioze” që duhet të korrigjohet nga përbërja e re.

Dobësi e Maqedonisë së Veriut është gjithashtu edhe zbatimi i legjislacionit për të parandaluar gjuhën e urrejtjes.

Kritikohet gjithashtu edhe fakti që nuk ka hetues vërtet të pavarur për të kryer mbikëqyrje efektive mbi punën e policisë, gjë që do të mundësojë trajtimin efektiv të fenomenit të mosndëshkimit në polici. Masat e menjëhershme janë të nevojshme gjithashtu për të përmirësuar situatën në burgje dhe për të gjetur zgjidhje alternative për paraburgimin dhe burgimin.

Komisioni Evropian vëren përparim të moderuar në fushën e lirisë së medias, por vëren se tensionet janë rritur gjatë krizës Kovid-19 dhe gjatë fushatës zgjedhore.

“Përpjekjet për vetërregullim duhet të intensifikohen në mënyrë që të përmirësohen standardet profesionale dhe cilësia e gazetarisë”, citohet në raport.

Nevojitet një transparencë më e madhe në fushën e reklamimit të shtetit, reklamimi publik dhe partiak në media, dhe pritet një zgjidhje e qëndrueshme për pavarësinë, standardet profesionale dhe qëndrueshmërinë financiare të Radio Televizionit Maqedonas.

“Është thelbësore të vazhdojmë të mbështesim pluralizmin e medias, duke promovuar profesionalizmin, raportimin objektiv, gazetarinë investigative si dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë për të luftuar dezinformimin”, citohet në raportin e KE-së.

Komisioni thekson se vendi duhet të vazhdojë të ruajë marrëdhënie të mira fqinjësore me Greqinë dhe Bullgarinë dhe të zbatojë marrëveshjet dypalëshe.

“Ne jemi ende duke synuar t’i mbajmë konferencat e para ndërqeveritare nën presidencën gjermane (deri më 31 dhjetor,), ky është mesazhi që unë i transmetova Parlamentit Evropian dhe këtu, unë ende shpresoj se është e mundur,” deklaroi Varhei duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Komisari shtoi se këto raporte mbi progresin e reformës, të parat që kur ai e mori detyrën, u përgatitën në bazë të fakteve dhe informacioneve nga të gjithë palët e interesuara përkatëse.

“Shpresoj se me këtë Këshilli do të jetë në gjendje të ecë përpara dhe të arrijë marrëveshje mbi kornizën negociuese për të dyja vendet,” tha Eurokomisari për Zgjerim.

Krahas raporteve të rregullta për përparimin reformues të vendeve nga rajoni, Komisioni Evropian dje e ka publikuar edhe Planin gjatë kohë të pritur ekonomik dhe investues (PEI) për Ballkanin Perëndimor.

Për këtë projekt, Komisioni vlerëson se duhet të ndahen nëntë miliardë euro financat e instrumentit paraaderues (IPA II) për periudhën 2021-2027.

IPA e re, si pjesë nga Buxheti i BE-së, ende nuk u miratua në Union, por parimisht parashikon 14 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, me atë që pjesa më e madhe e mjeteve do të ndahen për Ballkanin Perëndimor vetëm. PEI duhet në pjesën më të madhe të përkushtohet në investime produktive dhe infrastrukturë dhe do të përqëndrohet në dhjetë projekte themelore.

Krahas kësaj, Komisioni propozon, që përmes Fondit të garancionit për Ballkanin Perëndimor, të mobilizohen deri 20 miliardë euro investime gjatë 10 viteve të ardhshme, që të përforcohet lidhja infrastrukturore, posaçërisht në pjesën e transportit dhe energjisë, tranzicionit të gjelbër dhe digjital, përforcimit të konkurrencës në sektorin privat dhe zhvillimin e sektorit social