Institucionet shëndetësore po bëjnë analizë të hollësishme të të dhënave epidemiologjike nga pyetësorët, në mënyrë që të konfirmohet mënyra e saktë e transmisionit të virusit Kovid-19 në disa qytete t[ë vendit, pasi që dje u kumtua se në 24 orët e fundit u regjistrua numër rekord i 225 të rasteve të reja me Kovid-19.
Pas takimit të jashtëzakonshëm të Komisionit për sëmundje ngjitëse, ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipçe informoi se në bazë të analizës së hollësishme të të dhënave epidemiologjike nga pyetësorët do të dihet nëse nevojiten masa të cilat do t’ua rekomandonin më tutje Qeverisë. Tani për tani nuk po mendohet për kthim të masave për lëvizje të kufizuar të qytetarëve.
“Edhe njëherë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të respektohen masat. Është e dukshme se ndodhemi para fillimit të një situate të sapokrijuar vjeshtore, të cilën e prisnim. Do të ketë masa shtesë nëse ka numër të rritur të rasteve të reja. Por, analiza e saktë e pyetësorëve epidemiologjik do të na tregojë se cilën prej masave duhet ta rekomandojmë dhe në cilën periudhë kohore”, deklaroi Filipçe.
Në mesin e masave që u përmendën në periudhën e kaluar janë pakësimi i orarit për punë të objekteve hotelierike apo kufizimi i numrit në tavolina, ndërsa vendim për masa të tilla apo të tjera do të ketë këtë fundjavë.
“Janë edhe disa masa të cilat i paralajmëruam, por dëshirojmë të dimensionohen saktë dhe t’i rekomandojmë sipas atyre të dhënave të cilat do t’i marrim. Gjatë fundjavës do të punojmë, e më pas do të dalim me rekomandime adekuate”, tha ministri.
Sipas tij, numri i djeshëm i rasteve të reja në mbarë vendin shqetëson për shkak se mesatarja është më e lartë në krahasim me ditët e kaluara.
“Në atë kuptim, Komisioni për Sëmundje Infektive këtë fundjavë detajisht do t’i kontrollojë pyetësorët anketues për të përcaktuar mënyrën e transmetimit në secilën komunë ose qytet të vendit dhe në bazë të kësaj në ditët në vijim, në fillim të javës së ardhshme të jemi të gatshëm të rekomandojmë masa konform mënyrës së transmetimit të virusit. Këto masa patjetër të jenë adekuate, i paralajmëruam në fillim të shtatorit, kemi qenë të vetëdijshëm se na vjen periudha e vjeshtës ku mund të ketë rritje të numrit të të diagnostikuarve e cila tani praktikisht po ndodh”, tha ministri Filipce, i cili mbrëmë ishte për vizitë në Koçan, komunë ku gjatë dy javëve të kaluara u regjistruan disa persona pozitivë me virusin, mini-klasterë të rinj në disa institucione, fabrika të tekstilit, por edhe mes punonjësve shëndetësorë dhe të punësuarve në kopshte.
Megjithatë, siç shtoi, nuk po mendohet për kthim të sërishëm të masave për lëvizje të kufizuar të qytetarëve.
“Masat kufizuese si kudo në botë dhanë rezultate, ndërsa pas lehtësimit të tyre u shfaqën raste të reja. Kjo është dëshmi se virusi është këtu dhe se mënyrë e vetme që të ndalohen të gjitha proceset, jo vetëm në vendin tonë është që t’u përmbahemi masave mbrojtëse. Karantina e plotë nuk është zgjidhja e duhur, sepse kurdo që të bëhet, pas heqjes përsëri po përballemi me numër në rritje të rasteve. Prandaj apeloj deri te qytetarët që t’u përmbahen masave, sepse kjo është mënyra e vetme që të parandalohet përhapja e virusit”, tha Filipce.
Thirrje për të gjithë për mënyrë konstruktive të përballjes me pandeminë dje bëri edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, duke i komentuar paralajmërimet për bojkotime dhe për shkelje të protokolleve në shkolla, prej se filloi viti i ri shkollor, para dy ditëve, por në masë më të madhe onllajn.
Ajo theksoi se i respekton vendimet e Komisionit për sëmundje ngjitëse sepse bazohen në fakte, ndërsa komisioni qeveritar i cili jep miratime për mësim me prani fizike nuk vendosë, siç tha, sepse dëshiron apo jo të hapet ndonjë shkollë, por në bazë të argumentimit dhe sepse konsideron se ekziston rrezik për çrregullim të shëndetit të mbarë popullatës.
“Tani prioritet është ruajtja e shëndetit të të gjithë qytetarëve tanë, ndërsa mosruajtja e shëndetit do të thotë më shumë të infektuar dhe më shumë raste të vdekjes. Nëse gjendja ndryshon pozitivisht, nuk do të ketë dikush që do të jetë kundër hapjes së shkollave me prani fizike, por nëse është e këtillë apo më keq, do të mendojmë për çështje të tjera për ta ruajtur shëndetin publik, por edhe të sigurojmë vazhdimësi të mësimit në mënyra të cilat janë të mundshme në atë moment”, tha Cakrovska e cila dje mori pjesë në dorëzimin e donacionit nga agjencia turke TIKA për SHF “Petar Zdravskovski-Penko” në komunën e Butelit.
Anketat epidemiologjike në rastet me koronavirus në kopshte, ndërkaq, tregojnë se kryesisht bëhet fjalë për bartje të infektimit jashtë institucioneve. Kjo, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, do të thotë se respektimi konsekuent i protokolleve në suaza të institucionit do të thotë proces të sigurt edukues-kujdesës për të gjithë fëmijët të cilët vizitojnë kopshtet dhe për personelin.
“Sipas t[ë dhënave epidemiologjike dhe evidencës së MPPS, nga hapja e kopshteve në 311 objektet e regjistruara, janë vetëm 13 të punësuar pozitivë me virusin në tërë territorin e vendit. Në pajtim me Protokollin për aktivitete në institucionet për kujdes he edukim të fëmijëve i cili është miratuar nga ana e Qeverisë në suaza të kopshteve të fëmijëve, mund të kujdesen rreth 20.000 fëmijë, ndërsa nga hapja e kopshteve prej 9 shtatorit deri më 1 tetor, nga mesatarisht 8500 fëmijë në ditë të cilët aktivisht kanë vizituar kopshtet, janë regjistruar vetëm 9 fëmijë nga kopshte të ndryshme, pozitivë me virusin , me simptomatologji të lehtë. Prej tyre, për momentin pesë janë raste aktive, ndërsa katër llogariten si të shëruar”, kumtoi Ministri i Shëndetësisë.
Statistika e autoriteteve shëndetësore tregon se në shtet për momentin janë aktivë 2450 raste me Kovid-19, ndërsa të hospitalizuar janë gjithsej 368. Prej fillimit të epidemisë deri më tani janë diagnostifikuar 18.363 raste, numri i pacientëve të shëruar është 15.164, ndërsa i të vdekurve 749 persona