Filipçe: Komisioni për sëmundje infektive detajisht do t’i kontrollojë pyetësorët anketues

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce, pas takimit të sontëm me kryetarin e Koçanit, Nikollço Iliev, paralajmëroi se detajisht do të analizohen të dhënat e pyetësorëve anketues që të shqyrtohen arsyet e mundshme të rritjes së madhe të numrit rasteve pozitive të Kovid19. Karantinë e plotë, siç tha, nuk është zgjidhje e duhur, ndërsa mënyra e vetme për të parandaluar përhapjen e virusit është që të gjithë t’u përmbahen masave.

“Numri i sotëm i të sapo diagnostikuarve në gjithë vendin shqetëson pasi mesatarja është më e lartë se në ditët e kaluara. Në këtë rast, Komisioni për Sëmundje Infektive këtë fundjavë detajisht do t’i kontrollojë pyetësorët anketues për të përcaktuar mënyrën e transmetimit në secilën komunë ose qytet të vendit dhe në bazë të kësaj në ditët në vijim, në fillim të javës së ardhshme të jemi të gatshëm të rekomandojmë masa konform mënyrës së transmetimit të virusit. Këto masa patjetër të jenë adekuate, i paralajmëruam në fillim të shtatorit, kemi qenë të vetëdijshëm se na vjen periudha e vjeshtës ku mund të ketë rritje të numrit të të diagnostikuarve e cila tani praktikisht po ndodh”, tha ministri Filipce.

Në takimin me kryetarin e Komunës së Koçanit, ata diskutuan për numrin e lartë të rasteve pozitive në komunë në dy javët e fundit, veçanërisht për mini -klasteret e reja në disa institucione, fabrikat e tekstilit, por edhe midis punëtorëve shëndetësorë dhe punonjësve në kopshte. Ai shtoi se nuk mendohet në kthimin e sërishëm të masave për kufizim të lëvizjes së qytetarëve.

“Masat kufizuese si kudo në botë dhanë rezultate, ndërsa pas lehtësimit të tyre u shfaqën raste të reja. Kjo është dëshmi se virusi është këtu dhe se mënyrë e vetme që të ndalohen të gjitha proceset, jo vetëm në vendin tonë është që t’u përmbahemi masave mbrojtëse. Karantina e plotë nuk është zgjidhja e duhur, sepse kurdo që të bëhet, pas heqjes përsëri po përballemi me numër në rritje të rasteve. Prandaj apeloj deri te qytetarët që t’u përmbahen masave, sepse kjo është mënyra e vetme që të parandalohet përhapja e virusit”, tha Filipce