Sipas një studimi të ri, njerëzit që marrin sasi të mjaftueshme të vitaminës D janë 52 për qind më pak të rrezikuar nga vdekja prej sëmundjes Covid-19 në krahasim me njerëzit që kanë mungesë të kësaj vitamine.
Vitamina D luan rol jetik në sistemin imunitar dhe mund ta luftojë inflamacionin. Kjo cilësi e bën vitaminën D element kyç në luftën kundër koronavirusit, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.
Dr. Michael Holick nga Universiteti i Bostonit zbuloi në hulumtimin e tij të kaluar se njerëzit që kanë sasi të mjaftueshme të vitaminës D kanë 54 për qind më pak gjasa të infektohen me koronavirus.
Për shkak se mungesa e vitaminës D është e zakonshme te njerëzit me sëmundje tjera që e rrisin rrezikun nga koronavirusi, është e pamundur të thuhet se sa jetë njerëzish saktësisht do të mund të shpëtoheshin nëse të gjithë përdorin vitaminë D.
Megjithatë, dihet se rreth 42 për qind e popullsisë së Shteteve të Bashkuara ka mungesë të kësaj vitamine. Nëse kjo përqindje ka vlejtur edhe për rreth 203,000 amerikanët që kanë vdekur nga Covid-19, atëherë 85,000 persona ka mundësi që do t’ia dilnin mbanë më mirë, nëse do të kishin sasi të mirë të vitaminës D.
“Ky studim dëshmon drejtpërdrejt se prania e mjaftueshme e vitaminës D mund t’i zvogëlojë ndërlikimet, përfshirë stuhinë e citokinës dhe përfundimisht vdekjen nga Covid-19”, tha Dr. Holick.
Drita e diellit është burimi kryesor i vitaminës D. Kur i ekspozohemi rrezatimit ultravjollcë të diellit, ai reagon me kolesterolin në lëkurën tonë, duke e nxitur prodhimin e vitaminës D.