500 milion euro për hekurudhën drejt Shqipërisë, projekti gati që nga 2017-a

Sërish aktualizohet ndërtimi hekurudhës për në Shqipëri. Qeveria ka obliguar Ministrinë e financave të sigurojë më shumë se 500 milion euro, para nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe investitorë të tjerë për ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore nga Kërçova në Strugë. Do të përdoret projekti i vjetër, sipas të cilit hekurudha për në Shqipëri do të jetë e gjatë 63 km dhe do të kushtojë 426 milion euro. Në vend se përgjatë bregut të liqenit, hekurudha duhet të kalojë përmes një tuneli në malin Jablanica, direkt në qytetin e Përrenjasit, me çka edhe janë pranuar vërejtjet e UNESCO-s në projektin ekzistues.  Nëse ka nevojë për ndryshim të ri të një pjese të trasesë, kjo do të kushtojë mjete shtesë. Boçvarski nuk kishte përgjigje konkrete se kur do të fillojë dhe sa kohë do të duhet për të ndërtuar.

Nuk mund të kemi afat konkret sepse projekti nuk ka filluar, kur të fillojë projekti sigurisht që do të kemi afate. Unë dua të jem preciz, mund të flas për data dhe afate, por nuk dua të manipuloj me afate sepse duhet ta mbajmë fjalën”-tha Bllagoj Boçvarski Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Boçvarski theksoi se është shumë e rëndësishme se çfarë infrastrukture ka nga ana shqiptare, si është qasja në hekurudhat në Shqipëri. Informacionet flasin se edhe përtej kufirit hekurudha është e vjetër dhe e rrënuar dhe duhet të rindërtohet. Gjithashtu, ministri thotë se edhe nga Shkupi në Kërçovë hekurudha do duhet të rindërtohet sepse është e vjetëruar. Sipas tij, duhet të punohet në nivelin ndër-shtetëror, por edhe me mbështetjen e BE-së në mënyrë që të shfrytëzohen më shumë paratë nga fondet ndërkombëtare. Përndryshe, projektin për ndërtimin e hekurudhës për në Shqipëri e financoi BE-ja me 7.7 milion euro dhe si i tillë ishte gati në nëntor të 2017.