Me 61 vota “për”, asnjë “kundër” dhe 28 “të përmbajtur” kuvendi i miratoi ndryshimet në Ligjin për arsimin fillor dhe me 61 vota “për”, një “kundër” dhe 25 “të përmbajtur” miratoi ligjin për ndryshimin e Ligjit për arsimin e mesëm me procedurë të shkurtuar. Me këto ndryshime sigurohet organizimi i pandërprerë i mësimit gjatë kohës së rrethanave të jashtëzakonshme, siç është rasti me pandeminë Kovid-19. Nga Ministria e Arsimit informojnë se me ndryshimet e këtyre ligjeve, për herë të pare mundësohen përjashtime nga procesi edukativo-arsimor i rregullt në më tepër raste: në kushte kur ka gjendje të krizës së përcaktuar, pandemi, zjarre, vërshime, ose fatkeqësi natyrore të tjera të mëdha.
MINISTRIA E ARSIMIT
Me ndryshimet ligjore bëhen përjashtime në fillimin dhe mbarimin e vitit shkollor gjatë rrethanave të jashtëzakonshme në mënyrë që viti shkollor mundet të fillojë dhe të mbarojë edhe në kohë të ndryshme nga koha kur zakonisht fillon viti shkollor, për të cilën do të vendosë Qeveria. Në kushte të jashtëzakonshme, me këto ndryshime ligjore, mësimi në shkollën fillore dhe të mesme do të mund të organizohet me praninë fizike të nxënësve, ose në distancë me zbatim të mjeteve për komunikim elektronik.
Sipas ndryshimeve të ligjeve, organizimi i mësimit me prani fizike të nxënësve do të jetë i mundur vetëm nëse kriteret dhe kushtet plotësohen në pajtim me protokollet dhe planin për mbajtje të mësimit për shkollat fillore dhe të mesme, të miratuar nga Qeveria.
MINISTRIA E ARSIMIT
Ndryshimet e të dy ligjeve parashikojnë që ora mësimore të zgjasë më pak se 40 minuta, për shkak të mbrojtjes më të madhe të nxënësve që do të ndjekin mësim me prani fizike. Me ndryshimet ligjore parashikohet edhe mundësia për shkurtimin e ditëve të mësimit në vitin shkollor nga 180 deri në 100.
Qeveria tashmë i ka miratuar Protokollet dhe Planin për fillimin e mësimit nga një tetori të këtij viti. /SHENJA/