Mësimi “online”, nxënësit dhe arsimtarët pa pajisje

Platforma Kombëtare për mësim nga distanca ka nxjerr probleme për drejtoritë e shkollave fillore dhe të mesme.

Kur kanë mbetur më pak se dy javë nga fillimi i vitit të ri shkollorë, sigurimi i pajisjeve kompjuterike për arsimtarët që do të zbatojnë mësimdhënien “on-line” është i pasigurtë. Edhe mungesa e laptopëve apo tabletëve të nxënësve është problemi tjetër që do të pengojë mësimin në distancë. Vetëm në Shkollën Fillore “Liria” në Shkup, afër 1/4 e nxënësve nga klasa e 4 deri në të 9, nuk kanë mundësi për qasje në internet apo nuk kanë pajisje adekuate, thotë drejtoresha Teuta Idrizi.

Ne vazhdimisht i kemi realizuar anketat, meqë ato kanë qenë edhe kërkesa të Ministrisë së Arsimit dhe prej të gjitha atyre të dhënave nga numri i përgjithshëm i nxënësve kemi 220 nxënës, të cilët nuk kanë pajisje elektronike dhe një pjesë e tyre nuk kanë edhe qasje në internet”-tha Teuta Idrizi, Drejtore e Sh. F. “Liria” Shkup.

Ndërkohë, parapërgatitjet për mësim me prezencë fizike në këtë shkollë, po testohen nga nxënësit vullnetarë të lagjes, të cilët shprehen se mezi presin të kthehen në bankat shkollore nga e para deri në të tretën. Komisioni i posaçëm qeveritar po shqyrton afër 500 aplikimet të shkollave të mesme dhe fillore, nëse i plotësojnë kushtet protokollare për mësim nëpër klasa. Por, drejtorët edhe nëpër qytetet të tjera thonë se Ministria e Arsimit është vonuar me platformën ‘on-line’, që pritet të zbatohet nga 1 tetori.

Për procedurën nuk jemi edhe aq të informuar, përveç se na kanë ardhur disa e-maile nga Ministria, por gjendja faktike është krejtësisht tjetër. Ne kemi shumë nxënës me të ardhura të ulëta sociale, ka shumë mungesë aparatesh elektornike, pa të cilat nuk mund të realizojmë mësimin on-line. Mendoj se është e pamundur të realizohet, nga ana tjetër ka një vullnet të madh për mësim me prezencë fizike.”-theksoi Ajet Mullarexha, Drejtor i Sh. F. “Penestia” Dibër.

Alsat kontaktoi me disa biznese të IT-sektorit, të cilat sqaruan se kërkesat e Ministrisë së Arsimit për konfigurimin harduerik të një kompjuteri do të jenë të kushtueshme. Sipas tyre për të suportuar një softuer si “Platforma Kombëtare” një shtëpizë kompjuterike arrinë koston nga 200-300 euro. Ndërkohë, shkollat duhet të sigurojnë nga një të tillë për secilën klasë, nga ku mësimdhënësit do të mund të realizojnë leksionin “online”.

Dje Ministrja e Arsimit Milla Carsovska doli me konstatimin se rreth 40 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme nuk do të kenë mundësi objektive që ta ndjekin mësimin “online”. Këtyre nxënësve Ministria do t’i dërgojë materiale të printuara në shtëpi dhe do të realizojë programe televizive./Alsat-M/