Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i dha vlerësimin më të lartë shtetëror “Urdhri i Lirisë” Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në shenjë mirënjohje për kontributin e tij në lirinë e Kosovës, forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Në një letër drejtuar Trump, presidenti i Kosovës tha se Marrëveshja për Normalizimin Ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të ishte e mundur pa udhëheqjen e tij të fortë dhe Shtetet e Bashkuara.
“Unë do të doja të shprehja mirënjohjen time të thellë për kontributin tuaj personal në arritjen e një marrëveshje mbi normalizimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje përfaqëson progres me rëndësi të madhe për t’i dhënë fund konfliktit shekullor midis popujve tanë. Pas dekadash bllokimesh dhe ngecjesh në negociata, falë udhëheqjes suaj të guximshme, ne kemi arritur këtë marrëveshje historike,” shkroi Thaçi në një letër Trump, sipas Presidencës së Kosovës.
Ai më tej theksoi se populli i Kosovës i mbetet përjetësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara, “shpëtimtari ynë që ishte me ne në ditët tona më të errëta dhe e bën edhe sot”. Ai gjithashtu tha se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe të qëndrueshme dhe prosperitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Trump ftohet të vizitojë Kosovën
“Ne kemi punuar shumë gjatë viteve dhe jemi të gatshëm të kontribuojmë për paqen dhe sigurinë në botë. Ne jemi gjithashtu të palëkundur në angazhimin tonë për arritjen e një marrëveshje që zgjidh të gjitha çështjet e pazgjidhura dhe sjell njohje të ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë. Eshtë më e qartë se kurrë se kjo mund të arrihet vetëm nën udhëheqjen e fortë të Shteteve të Bashkuara. Roli juaj në këtë proces është jetësor. Kosova është vërtet e bekuar që gëzon mbështetjen tuaj të palëkundur në përmbushjen e aspiratave të saj,” thuhej në letër.
Përveç Presidentit Trump, Thaçi nderoi gjithashtu Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Trump, Robert O’Brien dhe të Dërguarin Special për Dialogun, Richard Grenell, me Medaljen Presidenciale të Meritës.
Sipas Presidencës së Kosovës, Presidenti Thaçi gjithashtu e ftoi Presidentin Trump të vizitojë Kosovën në një të ardhme të afërt.
Në Uashington, në prani të Presidentit të SHBA Donald Trump, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje më 4 shtator për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.