OBSH: Koronavirusi do të vendoset nën kontroll për dy vite

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e di se kur do të përfundojë pandemia e koronavirusit, por supozon se sëmundja do të vihet nën kontroll brenda dy viteve, kumtoi pres-shërbimi i kësaj organizate.

Sot bëhen saktësisht gjashtë muaj që kur OBSH-ja shpalli pandemi, megjithëse organizata fillimisht e konsideroi paraqitjen e virusit Kovid-19 si pandemi me disa vatra.

“Nga kjo pikëpamje, nuk mund të themi kur do të përfundojë pandemia, por është e mundur që me përpjekjet globale dhe teknologjinë moderne, ajo të vihet nën kontroll për disa vjet”, qëndron në komunikatë.

Nga OBSH-ja thonë se shtetet duhet të përqendrohen në katër prioritete – parandalimin e përhapjes së virusit, aftësimin e njerëzve për të mbrojtur veten, bazat e shëndetit publik dhe mbrojtjen e kategorive të cenueshme, përfshirë të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.

OBSH-ja gjithashtu beson se gjashtë muaj pas shpalljes së pandemisë, virusi mbeti infektues në të njëjtën mënyrë.

“Viruset njerëzore mund të përparojnë, duke u bërë më pak a më shumë patogjen. Në bazë të evidencës aktuale, në më shumë se 80.000 mostra gjenomike, është vërtetuar që transmetueshmëria dhe ashpërsia e virusit nuk kanë ndryshuar”, thekson OBSH, duke shtuar se ndryshimet tek virusi vazhdimisht përcillen.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, megjithëse Kovid-19 është një virus i ri, tani dihet shumë për të.