Popullimi botëror i gjitarëve, shpezëve, amfibëve, zvarranikëve dhe peshqve është pakësuar mesatarisht për dy të tretat, për më pak se gjysmë shekulli, tregon Raporti botëror për ruajtje të natyrës 2020, që u publikua sot nga Fondi botëror për natyrë (WWF).
Siç theksuan nga WWF, kjo në masë të madhe është rezultat i shkatërrimit të mjedisit jetësor që kontribuon drejt dukurisë së sëmundjeve zoonotike, siç është pandemia nga Kovid-19.
Njëherit, sipas raportit, më i rrezikuar është biodiversiteti i ekosistemeve të ujërave të ëmbla.
Biodiversiteti i ujërave të ëmbla zhduket më shpejtë se sa në cilin do ekosistem tjetër. Prej vitit 1900, më shumë se 70 për qind e moçaleve botërore janë zhdukur, ndërsa prej vitit 1970, popullimet e llojeve të ujërave të ëmbla janë pakësuar për 84 për qind, më shumë se ato që jetojnë në pyje apo oqeane. Lumenjtë në botë janë të stërngarkuar me infrastrukturë ekzistuese dhe të planifikuar, konsumi i ujit prej vitit në vit po rritet, rajonet e peshkatarisë të ujërave të ëmbla janë shfrytëzuar jet mase, ndërsa jeta e miliona njerëzve bëhet gjithnjë e më e pasigurt.
“Raporti ‘Gjendja e planetit 2020’ thekson se shkatërrimi i përshpejtuar i natyrës, si rezultat i aktiviteteve njerëzore, ka ndikime katastrofale jo vetëm ndaj popullimeve të botës së egër, por edhe ndaj shëndetit të njerëzve dhe të gjitha aspekteve të tjera të jetëve tona”, theksoi Marko Lambertini, drejtor ekzekutiv i WWF International.
Ai theksoi se nuk mund t’i injorojmë dëshmitë para nesh sepse rënia serioze e popullimeve të botës së egër është shenjë për paralajmërim që tregon për defekt në sistem.
“Vendi ynë është i pasur me natyrë të jashtëzakonshme, lumenj të mrekullueshëm dhe biodiversitet të pasur. Por, ne për fat të keq nuk dimë dhe nuk arrijmë t’i ruajmë këto pasuri të vlefshme. Vazhdimisht jemi dëshmitarë të lëshimit katastrofal të materieve të dëmshme në rrjedhat ujore, pa shqiptim të dënimeve adekuate të kryesve. Gjithashtu, edhe më tej vazhdon ndërtimi i hidroelektranave të vogla në lumenjtë tanë, të cilat jo vetëm që e shkatërrojnë natyrën, por edhe e lënë popullatën lokale pa ujë të pijshëm. Shpallja e Malit Sharr park nacional është bërë peng i biznesit për prodhim të energjisë elektrike i subvencionuar nga shteti. Praktika e këtillë e nxitjes së heshtur të zhvillimit të paqëndrueshëm duhet të ndalojë nëse dëshirojmë ta ruajmë resursin tonë më të çmueshëm – ujin”, theksoi Ana Çolloviq Leshoska, koordinuese për politika në WWF Adria dhe drejtoreshë ekzekutive në Eko-vetëdije.
Ajo theksoi se me mbrojtje të biodiversitetit të ujërave të ëmbla, ne kontribuojmë në mënyra të ndryshme për përmirësim të shëndetit të njerëzve, nga pakësimi i mundësisë për sëmundje të reja deri te rritja e qasjes drejt ujit dhe ushqimit.
“Situata e tanishme tregon për atë se ne duhet të veprojmë menjëherë. Me qëllim q[ë të ndërpritet humbja e biodiversitetit të ujërave të ëmbla, duhet të zbatohet plan ambicioz për intervenim. Kjo përfshin mundësim të rrjedhës natyrore të lumenjve, ulje të ndotjes, mbrojtje të moçaleve, ndërprerje të peshkimit tej mase dhe shtresimit të paqëndrueshëm të sedimenteve, kontrollim të llojeve invazive dhe mbrojtje dhe ripërtëritje të lidhjeve që i kanë vendbanimet e ujërave të ëmbla me ekosistemet përreth”, theksoi Çolloviq-Leshoska.
Ajo theksoi se prodhimi dhe konsumi i ushqimit janë forca shtytëse kyçe për humbjen e biodiversitetit.
“Plan i ngjashëm është i domosdoshëm për tërë biodiversitetin në botë. Stabilizimi dhe ndalimi i humbjes së natyrës do të jenë të mundshëm vetëm nëse punojmë me guxim dhe ambicie për ruajtjen e natyrës dhe nëse e ndryshojmë mënyrën e prodhimit dhe konsumimit të ushqimit. Ndryshimet e nevojshme përfshijnë prodhimtari të qëndrueshme më efikase dhe ekologjike dhe tregti me ushqim, ulje të mbeturinave dhe zgjedhje të mënyrës më të shëndetshme dhe ekologjike të të ushqyerit”, theksoi Çolloviq-Leshoska.
Ajo theksoi se rënia e biodiversitetit global kontribuon për rritje të pabarazive glopbale, thellim të ndarjeve mes veriut dhe jugut global. Gjithashtu, e rritë ndjeshmërinë e bashkësive të vogla të cilat do të jenë më së shumti të goditura nga humbja e natyrës. Prandaj, siç potencoi, të gjitha planet për ndërprerje të humbjes së natyrës duhet të përfshijnë zgjidhje të problemeve themelore sociale dhe ekonomike të cilat vetë se thellohen me humbjen e biodiversitetit.
Raporti për gjendjen me planetin është studim gjithpërfshirës për gjendjen e natyrës sonë përmes indeksit të planetit të gjallë (Living Planet Index-LPI), i cili e ndjekë gjendjen e popullimeve të llojeve të egra. LPI, i siguruar nga Shoqata zoologjike londineze, tregon se të gjithë faktorët, për të cilët besohet se e rrisin mundësinë për dukuri të pandemisë, qëndrojnë prapa uljes në 68% të popullimit të kurrizorëve mes viteve 1970 dhe 2016. Edhe pse të gjithë forcat shtytëse përfshijnë ridedikim të tokës dhe tregti me kafshë të egra, shkaku kryesor për rënien dramatike të popullimeve është humbja dhe degradimi i vendbanimeve, përfshirë edhe shkatërrimin e pyjeve, që i referohet modelit të prodhimit të ushqimit.
Raporti për gjendjen e planetit në vitin 2020 u publikua vetëm disa ditë para mbledhjes së 75-të të Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (UNGA), kur pritet liderët botërorë ta shqyrtojnë përparimin e arritur në realizimin e qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm, Marrëveshjen e Parisit dhe Konventën për llojllojshmëri biologjike. UNGA 2020 do t’i bashkojë liderët botërorë, koorporatat dhe shoqërinë civile të zhvillojnë kornizë për aksion pas vitit 2020, duke shënuar kthesë në vendosjen e themeleve për marrëveshjen e re urgjente të nevojshme për natyrën dhe njerëzit.
WWF është një nga organizatat më të mëdha, globalisht të njohura, të pavarura të përfshira në mbrojtjen e natyrës dhe ka rrjet aktiv global në mbi 100 vende. Misioni i WWF është të ndalohet shkatërrimi i mjedisit jetësor dhe të krijojë të ardhme në të cilën njerëzit jetojnë në harmoni me natyrën me fillim të biodiversitetit në botë, shfrytëzim i qëndrueshëm i resurseve natyrore dhe ulje të ndotjes dhe konsumit tej mase.