Turqia “e zhgënjyer” me Kosovën shkaku i njohjes së Izraelit

Turqia është shprehur e zhgënjyer rreth vendimit të Kosovës për njohjen e Izraelit dhe hapjen e zyrës në Jerusalem, raportojnë media në këtë shtet.

Turqia, përkrahëse e zëshme e kauzës palestineze, kishte qenë një prej shteteve të para që e njohu Kosovën më 2008, gjë të cilën edhe e ka përmendur në njoftim ministria e Jashtme e këtij shteti.

“Turqia është në mesin e shteteve të para që e kanë njohur Kosovën, i ka ofruar përkrahje të madhe dhe për një kohë të gjatë ka bërë përpjekje për njohjen ndërkombëtare të këtij shteti, por neve nuk na duket e drejtë që ky proces të ndërtohet kundër ligjit ndërkombëtar dhe veçanërisht mbi vuajtjet e popullit palestinez, tokat e të cilit janë nën okupim”, thuhet në deklaratë.

Ky vendim i Kosovës për për Turqinë është parë si zhgënjyes.

“Madje edhe mendimi që zyrtarët ne Kosovë e hedhin një hap të tillë… që paraqet shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare… është zhgënjyes”, shkruan në deklaratën e ministrisë së Jashtme turke.

Ministria i ka bërë thirrje udhëheqësisë në Kosovë që të shmangë hapat e tillë, që dëmtojnë statusin e Jerusalemit.