70 mijë fëmijë në rrezik të vdesin nga uria

Organizata britanike bamirëse “Save the Children” paralajmëroi se gati 70 mijë fëmijë në Afrikën nën-Sahariane janë në rrezik të vdesin nga uria ekstreme, para fundit të këtij viti. Organizata tha se pandemia COVID-19 i shtohet presionit që kanë disa familje dhe komunitete për të siguruar ushqim. “Save the Children” tha se është duke trajtuar një numër në rritje të fëmijëve që vuajnë nga kequshqyerja, në klinikat e saj në Afrikën lindore dhe jugore. Organizata tha se masat e bllokimit për shkak të koronavirusit, kanë bërë që familjet në kontinent të përballen me përkeqësim serioz të kushteve të jetesës dhe që ushqimi të bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u gjetur ose thjesht shumë i shtrenjtë. Paralajmërimi pason një të ngjashëm nga Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara për rritjen e niveleve të urisë në të gjithë botën, për shkak të koronavirusit. Përpara pandemisë, komunitetet më së shumti në rrezik janë përballur me pasiguri ushqimore për shkak të përmbytjeve dhe zhvendosjeve në Afrikën lindore.