Dimitrov-Osmani: Prioritet integrimi i vendit në BE

Zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov pret që negociatat për anëtarësim në BE të fillojnë në dhjetor. Tha se kjo do të jetë edhe fokusi i punës së tij për 4 vitet e ardhshme, duke paralajmëruar reforma në Sekretariat, me çka ky institucion të jetë motor që do t’i jepe shtysë të gjitha reformave në vend. Dimitrov po ashtu paralajmëroi freskim të strukturës negociuese të vendit, në përputhje me metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së.

Ndërsa Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani u zotua se prioritet i tij do të jetë axhenda evropiane e vendit, thellimi i bashkëpunimit strategjik me SHBA-në dhe anëtaret tjera të NATO-s dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, me theks të veçantë realizimin e Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes me Bullgarinë.

Si Osmani ashtu edhe Dimitrov u shprehën optimist se rruga evropiane e vendit nuk do të bllokohet nga ana e Bullgarisë, edhe përskaj dallimeve ende të pa-tejkaluara.

Osmani tha se Qeveria e re duhet ta rishqyrtojë Ligjin për Punë të Jashtme, të propozuar nga paraardhësi i tij. Tha se nuk do të jenë më boshe ambasadat që një kohë të gjatë kanë qenë pa ambasadorë, duke theksuar se dërgimi i ambasadorëve do të bëhet në mënyrë ekonomikisht racionale dhe në përputhje me interesat strategjike të vendit.

Gjatë pranim dorëzimit të posteve, Osmani tha se do të krijojë kushte për respektimin e dygjuhësisë edhe në Ministrinë e Jashtme, dikaster ky ku deri më tani thuajse aspak nuk është respektuar shqipja. Dimitrov u arsyetua se për këtë çështje nuk ka pasur resurse të mjaftueshme dhe u zotua se do ta respektojë praktikën e deritanishme dygjuhësore në Sekretariat.