Filloi “Zaev 2”, çka e pret dhe cilat janë sfidat?

Maqedonia e Veriut pak para mesnate zgjodhi Qeverinë e re. Lideri socialdemokrat Zoran Zaev mori mandatin e dytë për të qeverisu vendin me koalicionin e tij “Mundemi”, BDI-në dhe PDSH-në.

Qeveria mori dritë jeshile me 62 vota për dhe 51 kundër, vota të opozitës nga 120 vende në Kuvendin republikan. Qeveria ka një mbështetje të ngushtë, pasi që edhe opozita që përbëhet nga VMRO-DPMNE me 44 deputetë, Aleanca për Shqiptarët – Alternativa me 12 deputetë dhe E Majta me 2 deputetë kanë 58 mandate.

Kryeministri Zoran Zaev tha se në mandatin e dytë pas anëtarësimit në NATO do të fokusohet në procesin e negociatave me BE-në, ekonominë, shëndetësinë, zvogëlimin e administratës si dhe në aspektin social. Ai u zotua se do të luftojë krimin dhe korrupsionin duke miratuar ligj për origjinën e pasurisë së politikanëve dhe funksionarëve shtetëror, veting në gjyqësor si dhe ballafaqim me ekonominë e zezë.

Qeveria e re numëron 19 ministra, 7 më pak se qeverisja e kaluar. BDI do të udhëheq me resore të rëndësishme si Zëvendëskryeministrin që po theksohet se do të jetë i parë, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Financave si dhe resore tjera. Po ashtu kjo parti ka edhe postin e kryeparlamentarit. Lëvizja BESA si parti e dytë shqiptare në koalicion do të udhëheq me Ministrinë e Bujqësisë, ndërsa PDSH do të ketë poste zv/ministrash si dhe drejtori.