Turqia duket e vendosur në qëndrimet e saj ndaj Greqisë, jo vetëm në çështjet e Mesdheut Lindor, por dhe në ato të Egjeut.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan adresoi një mesazh tek populli i tij në 98-vjetorin e fitores së forcave të Ataturkut në Anatoli.
“Suksesi ynë nga Siria në Libi, sektori i energjisë në Detin e Zi dhe Mesdheun Lindor, dhe lufta ndaj terrorizimit, janë padyshim një tregues i qartë i vullnetit tonë për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e vendit,” tha Erdogan, ndërsa foli veçanërisht për situatën në Mesdhe dhe tensionet me Greqinë.
“Veçanërisht në Mesdheun Lindor Turqia nuk do të bjerë në intimidim dhe do të vazhdojë të mbrojë interesat sipas ligjit ndërkombëtar dhe marrëveshjeve dypalëshe. Nuk është një rastësi, që ata të cilët po përpiqen ta mbajnë vendin tonë jashtë Mesdheut Lindor janë të njëjtët, që një shekull më parë u përpoqën ta marrin vendin tonë. Vendi ynë nuk do të hezitojë t’i fshijë aspirtatat e tyre në “Vatanin Blu”, të ngjashme me ato të traktatit të Sevres, (France, 1920) ku vendi ynë mori fitore pavarësisht rrethanave jo të favorshme”, tha Presidenti turk.
Kujtojmë se kjo deklaratë vjen në një kohë kur Ministrat e Jashtëm të BE kanë paralajmëruar sanksione ndaj Turqisë pikërisht për shkak të raporteve me Greqinë.
Nga ana e tij Ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu tha një ditë më parë se edhe zgjerimi I Greqisë në Egje ështënjë çështje lufte.
“Greqia mund të operojë në zona ku ka të drejta dhe ne nuk kemi asgjë të bëjmë me këtë. Ata nuk mund t’i shtojnë ujërat e tyre territore me 12 milje ne Egje. Vendimi i marr nga Ansambleja jonë kombëtare vite më parë është në fuqi dhe kjo është një çështje për luftë”, tha Ministri i Jashtëm në një program televiziv turk. “Kjo është një çështje lufte”, përsëriti ai.