Fushata rezulton me sukses, Apple vendos Kosovën në hartë

197 mijë e 175 persona të cilët e kanë nënshkruar peticionin “Put Kosovo on Apple Maps”, ia kanë arritur qëllimit. Kosova tashmë është vendosur në hartat e Apple.

Peticioni i nënshkruar nga 197 mijë e 175 qytetarë në change.org, duket se ka pasur sukses. Apple ka vendosur Kosovën në hartat e saj.

Kjo është bërë e ditur në faqen change.org ku edhe është nënshkruar peticioni.

Nismës për vendosjen e Kosovës në hartat e Apple, përveç qytetarëve, i ishin bashkuar edhe shumë kosovarë suksesshëm nëpër botë.

Ndër emrat e njohur që kishin kërkuar vendosjen e Kosovës në hartat e Apple ishin edhe këngëtaret Rita Ora, Dua Lipa e Bebe Rexha.

Ato kishin shpërndarë nëpër profilet e tyre në rrjetet sociale kërkesën ndaj Apple, për ta vendosur Kosovën në hartë.

Por përveç të famshmëve, të zëshëm ishin edhe qytetarët të cilët të zhgënjyer nga Apple për mosvendosjen e Kosovës në hartat e tyre, kishin kërkuar me ngulm që Kosova të jetë pjesë e këtyre hartave.

Fushatës për vendosjen e Kosovës në hartat e Apple i ishin bashkuar edhe politikanët kosovarë.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, kishte thënë se aplikacionet e Apple janë zhvilluar në Kosovë, prandaj qartazi Kosova është pjesë e botës së Apple.

“Shumë nga aplikacionet tuaja në App Store janë zhvilluar në Kosovë, me shumë tjera që do të zhvillohen pasi ju i bëtë shërbimet tuaja të qasshme këtu. Apple, Kosova është qartazi pjesë e botës tuaj, të sigurohemi që të kemi mundësi ta shohim atë edhe në hartën tuaj”, kishte shkruar Osmani.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, bashkë me homologun e saj në Shqipëri, Gent Cakajn, i kishin dërguar një letër drejtorit ekzekutiv të Kompanisë Apple, z. Tim Cook, për t’i kërkuar marrjen e masave për të vendosur kufijtë e Kosovës në në shërbimin e Apple Maps.

“Në bashkërendim të plotë me Ministren e Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, sot i kam dërguar një letër drejtorit ekzekutiv të Kompanisë Apple, z. Tim Cook, për t’i kërkuar marrjen e masave të nevojshme për të paraqitur kufijtë e saktë të Republikës së Kosovës në shërbimin e Apple Maps. Republika e Kosovës është njohur prej shumicës së shteteve të botës demokratike dhe, ashtu siç ka vendosur vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Ndaj, presim që Apple Inc. të marrë vendimin e drejtë duke vendosur kufijtë e Republikës së Kosovës në hartat e shërbimeve të saj”, kishte shkruar Cakaj.