Kanadaja do të zgjasë deri më 30 shtator mbylljen e kufijve të saj ndërkombëtarë për të huajt, me përjashtim të disa amerikanëve, në mënyrë që të parandalojë përhapjen e koronavirusit, njoftoi sot qeveria.
“Qytetarët kanadezë dhe banorët e përhershëm, që kthehen në Kanada, do të vazhdojnë t’i nënshtrohen masave të karantinës”, sqaroi ministri për Sigurinë Publike, Bill Blair, në Twitter.
Nga marsi i kaluar, udhëtarët që mbërrijnë në Kanada, kanadezë apo jo, u janë nënshtruar një karantine të detyrueshme 14-ditore.
Nga ana e saj, kufiri i Kanadasë me SHBA-në mbetet i mbyllur deri më 21 shtator, si pjesë e një marrëveshjeje të veçantë bilaterale me Uashingtonin.
Lejohen vetëm tregtia e produkteve dhe mallrave, si edhe udhëtimet e konsideruara thelbësore.