Juristë dhe ekonomistë dominojnë në përbërjen e Qeverisë së re të mandatarit Zoran Zaev, ekonomist i diplomuar dhe biznesmen shumëvjeçar dhe ish kryetar komune, i cili e kryente funksionin e kryeministrit edhe në tre vitet e kaluara. Për zbatimin e programit qeveritar do të angazhohen edhe elektroinxhinierë, arkitektë, gazetarë, kirurg specialist, specialist i neurokirurgjisë, specialist i mjekësisë interne, punëtor social i diplomuar. Ministri më i ri ka 33 vjet, ndërsa më i moshuari 56, tregojnë të dhënat e biografive të publikuara në Propozim përbërjen e Qeverisë.
Për herë të parë Qeveria do të ketë zëvendëskryeministër të parë dhe ministër të Sistemit Politik, funksion të cilin do ta kryejë gazetari i diplomuar dhe deputet shumëvjeçar i BDI-së Artan Grubi, si dhe zëvendëskryeministër për Luftë kundër Korrupsionit, për çka është propozuar Lupço Nikollovski, jurist i diplomuar, sekretar i përgjithshëm i partisë dhe ish ministër i Bujqësisë.
Pozitën e kryeministrit për Çështje Evropiane do ta kryejë edhe Nikolla Dimitrovi, ministri i deritanishëm i Punëve të Jashtme, i cili gjithashtu është jurist i diplomuar.
Në vendin e kryeministrit të Ekonomisë do të jetë i angazhuar Fatmir Bytyqi. Në biografinë e tij shkruan se është ekspert internacional për menaxhim me proceset dhe reformat ekonomike, ndërsa mes tjerash ishte drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore dhe kryetar i Komisionit të Financave të LSDM-së. Në këtë pozitë gjatë tre viteve të kaluara të mandatit të Qeverisë ishin biznesmeni Koço Angjushev dhe Milla Carovska. Bytyqi duhet t’i koordinojë Fatmir Besimin, i cili do të udhëheqë me Ministrinë e Financave, Kreshnik Bekteshin me Ministrinë e Ekonomisë, Jeton Shaqirin në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, të tre kuadro të BDI-së, si dhe Arianit Hoxhën në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, kuadër i Besës, Bllagoja Boçvarski në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe Jagoda Shehpaska në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, të cilët janë kuadro të LSDM-së.
Nga ekipi qeveritar i ekonomistëve Besimi është doktorant i Ekonomisë, Bekteshi është magjistër i Menaxhmentit dhe Strategjive, ndërsa Hoxha është profesor në Fakultetin e Biznesit dhe të Administratës në Universitetin e Evropës Juglindore dhe ai do të jetë edhe ministri më i ri në Qeveri. Boçvarski është arkitekt i diplomuar dhe para se të zgjidhej ministër ishte kryetar i Komunës së Shtipit, përderisa Shehpaska është specialiste e mjekësisë interne dhe deputete në dy përbërjet e mëparshme kuvendore.
Nuk ka ndryshime në pozitat udhëheqëse në dikasteret e sigurisë – të punëve të brendshme dhe të mbrojtjes. Aty përsëri do të udhëheqin Oliver Spasovski, jurist i diplomuar dhe kryeministri i deritanishëm teknik i cili e kryente funksionin ministror në Ministrinë e Punëve të Brendshme para fillimit të Qeverisë kalimtare, si dhe Radmilla Shekerinska, inxhinier elektroteknik e cila mbetet që ta menaxhojë mbrojtjen si në tre vitet e kaluara. Edhe në Ministrinë e Shëndetësisë mbetet ministri i deritanishëm Venko Filipçe, i cili me profesion është specialist neurokirurg, ndërsa funksionin ministror në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikim Hapësinor edhe më tutje do ta kryejë Naser Nuredini, me karrierë paraprake në sferën e Financave në Londër dhe Vjenë si analist dhe si menaxher investues për tregjet në Evropën Qendrore dhe Lindore. Me ministër të njëjtë mbetet edhe dikasteri i Vetëqeverisjes Lokale, ku do të vazhdojë të udhëheqë Goran Milevski, me profesion ekonomist dhe kuadër i PLD-së.
Për të udhëhequr me resorin e drejtësisë do të jetë përgjegjës Bojan Mariçiq, magjistër i të drejtës ndërkombëtare dhe evropiane. Në funksionin e ministrit vjen nga pozita e Koordinatorit Kombëtar për Integrim në BE, Procesin e Berlinit dhe Bashkëpunim Rajonal dhe zëvendës i negociatorit kryesor politik dhe shef i ekipit negociator për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE pranë Qeverisë. Për Diplomacinë do të jetë i angazhuar Bujar Osmani kirurg specialist dhe zëvendëskryeministër i deritanishëm për Çështje Evropiane.
Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, do ta udhëheqë Milla Carovska, e cila është punëtore sociale e diplomuar, zëvendëskryeministre e deritanishme e Çështjeve Ekonomike dhe e cila kishte funksionin ministror në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale në Qeverinë e deritanishme.
Për ministre të Kulturës është propozuar Irena Stefoska, e cila është doktorant i shkencave historike dhe kryetare e deritanishme e Komisionit kuvendor të Kulturës.
Kjo qeveri është për shtatë ministra më e vogël se ajo paraprake dhe do të numërojë 19 vende të ministrave dhe kryeministrin.
Në qeverinë e re do të ketë katër gra, të gjitha nga radhët e LSDM-së.