Qeveria greke edhe për dy javë e ka vazhduar ndalesën për hyrje në Greqi të shtetasve të vendeve të treta si dhe masën e kufizimit të lidhjeve tokësore të vendit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, njofton korrespondentja e MIA-s në Athinë.
Vazhdimi i masave konkrete është pjesë e kufizimeve që poashtu vazhdohen për dy javë, ndërsa pasdite e bëri të ditur zëvendësministri për Mbrojtje Civile të Greqisë, Nikos Hardalas në konferencën e rregullt të shtypit për Kovid-19 në Ministrinë e Shëndetësisë.
Vendimi i kaluar i përbashkët ministror për ndërprerjen e lidhjeve tokësore të Greqisë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë skadon më 31 gusht , ndërsa do të vazhdojë me masë të re që do të jetë në fuqi deri më 15 shtator.
Zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Pecas në brifingun e djeshëm të rregullt me gazetarë, duke u përgjigjur në pyetjen e korrespondentes së MIA-s në Athinë, paralajmëroi se do të ketë vazhdim të një pjese të madhe të masave që janë në fuqi, mes tyre edhe ata që i përkasin kufijve tokësorë.