Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, zyrtarisht pranoi nominimin republikan, duke u bërë kështu një kandidat presidencial në prag të zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Duke folur në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë, ai sulmoi ashpër rivalin demokrat Joe Biden.
Ndërsa SHBA është duke luftuar epidemine COVID dhe një valë demonstrimesh anti-raciste, dhe sondazhet e opinionit kombëtar më pak se 70 ditë para zgjedhjeve nuk e favorizojnë atë, Trump pranoi emërimin e partisë së tij në natën e fundit të Konventës Kombëtare Republikane.
Në fjalën e tij, ai deklaroi “se fitorja e Bidenit në zgjedhje vetëm do të përkeqësonte krizat që rrethojnë vendin dhe do të çojnë në një anarki të plotë”.
“Në asnjë moment votuesit nuk janë përballur me një zgjedhje më të qartë midis dy partive, dy vizioneve, dy filozofive ose dy programeve. Ne kemi kaluar katër vitet e fundit duke zhbërë dëmin që Joe Biden ka bërë gjatë 47 viteve të fundit”, tha Trump duke iu referuar karrierës së rivalit si senator dhe zv.president i SHBA.
Tre mbrëmjet e para të Konventës Kombëtare Republikane u përqëndruan në përpjekjen për të bindur amerikanët se demokratët, jo administrata Trump, duhet të fajësohen për grindjet racore në qytetet e SHBA, ndërsa premtuan se do të përfundonin krimet dhe dhunën që prekin shtetin.
Të enjten, Biden, 77 vjeç, akuzoi Trump, 74 vjeç, për “përdorimin e spektrit të dhunës si një strategji politike në vend të zgjidhjes së problemeve”.
Demokratët nominuan zyrtarisht Biden si një kandidat presidencial në konventën e javës së kaluar.
Vendimi i Trumpit për të mbajtur një fjalim para Shtëpisë së Bardhë para më shumë se 1.500 personave, ka rikthyer kritika se ai po përdor selinë symbol të pushtetit amerikan në mënyrë jo të duhur për qëllime partie dhe duke injoruar rrezikun e transmetimit të koronavirusit.
“Eshtë një vend ku ndihem mirë, është një vend ku vendi ndihet mirë”, u përgjigj Trump.