Të jetosh afër liqenit në Strugë, e të mos kesh ujë për pije!
Ky është fshati Dollogozhdë i Strugës i cili prej vitesh vuan nga mospasja e ujit. Fshati ka një pompë të vendosur në Zhepin dhe një në Dollogozhdë, por janë të pa mjaftueshëm për të furnizuar banorët.
Por ky fshat nuk e ka të ndërtuar as rrjetin e kanalizimit.
Autoritet pohojnë se problemi me ujin do të zgjidhet shpejtë, por banorët janë skeptik dhe nuk kanë fare shpresa.
“Ne gjithë kohës kemi problem me ujin, jo tash por gjithë kohës. Asnjëherë ujë nuk ka pasur rregullisht por me orare. Jo ende, deri sat ë rregullohet jo”
“U bo shumë gjatë uji, punojnë ngapak ngapak ishalla me shkesës po tani deri kur do dali do shohim Shumë vështirë shumë . Edhe aho ashtu pusto, kurrgjë nuk punojnë. Jo nuk besoj drejtë të të themi nuk besojmë. Ska, deri ska kryesi tamam nuk bëhet asgjë”.
Kryetari i bashkësisë lokale Teki Arsllani thotë se problem me ujin nuk ka vetëm Dollogozhda por edhe shumë vende tjera. Por që siç tha ai, së shpejti më përfundimin e projektit banorët do të kenë ujë të mjaftueshëm.
“Ne kemi bërë një projekt për ta realizuar 100 % problemin e ujit i cili duket kështu dhe jemi në fazë të përfundimit për ta rregulluar ujin. Sa i përket kanalizimit, kanalizimi final gypat kryesorë janë të vendosur dhe tani do të lidhet fshati nëpër gypat kryesorë. Momentalisht nuk është si duhet, por do të rregullohet brenda kohës”, tha Teki Arsllani, kryetar i Bashkësisë Lokale.
TV21 kontaktoi edhe Argjend Zibën drejtorin e ujësjellësit të Dollogozhës. Ai tha se banorët e keqpërdorin ujin gjatë verës për ujitje, ndërsa disa prej tyre nuk i paguajnë as faturat.
“Ne si ndërmarrje dhe bashkësia lokale e pamë të arsyeshme që të vendoset edhe një gyp tjetër nga burimi në fshatin Zhepin i cili burim ka kapacitet të mjaftueshëm të ujit.
Këtë investim e kërkuam nga komuna e Strugës, ku në bashkëpunim me ndërmarrjen ujësjellësi dhe kanalizimi Strugë dhe disa vullnetarë të cilët e mbështetën këtë investim jemi drejt përfundimit dhe për disa ditë do ta vendosim në funksion edhe gypin e dytë ,dhe në Dollogozhdë nuk do te ketë mungesë te ujit për pije. Ju apelojmë qytetareve që të bëjnë pagesat e faturave të ujit dhe të mos harxhohet uji pa nevojë”, deklaroi Argjend Ziba, drejtor i ujësjellësit – Dollogozhdë.
Probleme me ujin në Strugë kanë edhe disa vendbanime të tjera. TV21 vizitoi edhe fshatin Misleshevë por banorët refuzuan të flasin para kamerave. Ata thanë se kanë problem të mëdha me furnizimin e ujit sidomos gjatë sezonit verorë.