Genc Cakaj i cili është ministër i jashtëm në detyrë i Shqipërisë dhe Meliza Haradinaj – Stublla kryediplomate e Kosovës, homolog të ri nga shteti fqinj, Republika e Maqedonisë së Veriut do të kenë Bujar Osmanin, i cili këto ditë pritet të merr postin e Ministrit të Punëve të Jashtme.
Analistët shqiptarë një konfiguracion të tillë diplomatik e shohin si përparësi për faktorin politik shqiptar në rajon në rrafshin e diplomacisë ndërkombëtare , edhe pse, shprehen që ministrat e jashtëm në rend të parë do të mbrojnë interesat e shteteve që përfaqësojnë.
Alfred Peza, analist politik dhe njohës i mirë i rrethanave politike në Ballkan, në prononcimin për Agjencinë e lajmeve Flaka shprehet që: “”Në trekendeshin Tirane-Prishtine-Shkup per here te pare ne histori, politika e jashtme e tri shteteve te Ballkanit, do te drejtohet nga ministrat shqiptar”, duke shtuar që ky zhvillim eshte nje lajm sa i mire aq edhe nje pergjegjesi e jashtezakonshme.
“Roli dhe pesha e faktorit shqiptar ne Ballkan, pas clirimit e pavarësisë së Kosovës dhe zhvillimeve të 2001 në Maqedoni, ka ndjekur një trend rritje të pandalshme. Anëtaresimi i Shqipërisë në NATO, ishte qershia mbi tortën e procesit të rifaktorizimit rajonal të shqiptareve ne epoken post ideologjike. Lajmi i mirë gjatë ketij viti, ka qene kryesimi i radhës i OSBE nga Shqiperia dhe Kryeministri Edi Rama qe eshte njekohesisht edhe ministër i Jashtem. Ne trekendeshin Tirane-Prishtine-Shkup per here te pare ne histori, politika e jashtme e tri shteteve te Ballkanit, do te drejtohet nga ministrat shqiptar. Eshte nje lajm sa i mire aq edhe nje pergjegjesi e jashtezakonshme. Kemi perpara procesin e bisedimeve Kosove-Serbi, por edhe mbajtjes se konferencave te para per anetaresimin e Shqiperise dhe Maqedonise se Veriut ne BE, pas celjes se negociatave ne mars 2020. Jemi perpara nje kufiri te ri te se ardhmes se shqiptareve por edhe te rajonit. BE e pas covid-19, ashtu si e gjithe bota, nuk do jete me si me pare. Integrimi i plote europian i shqiptareve, do te ndodhe vetem pasi shqiptaret te jene integruar me pare, ne gjithe hapesiren ku jetojne sot ne Ballkan”, shprehet Peza në prononcimin për Agjencinë e lajmeve Flaka.
Xhelal Neziri, analist dhe njohës i mirë i rrethanave politike në vend dhe rajon, në prononcimin e tij për Agjencinë e lajmeve Flaka, shprehet që tre ministra shqiptarë në rajon kanë shansin të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në përshpejtimin e procesit të integrimit europian.
“Ministrat e jashtëm pa dyshim se do të mbrojnë interesat e shteteve të tyre, anipse të gjithë janë të etnisë shqiptare. Megjithatë, prapavija e njëjtë etnike gjithësesi se do të jetë një shtytëse e një bashkëpunimi më të të ngjeshur dhe efektiv në drejtim të paqtimit dhe europianizimit të Ballkanit. Tre ministra shqiptarë në rajon kanë shansin të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në përshpejtimin e procesit të integrimit europian, duke promovuar dhe respektuar deri në fund vlerat euroatlantike dhe fqinjësinë e mirë. Në këtë kontekst mund të shihet edhe roli proaktiv që mund të kenë në drejtim të arritjes dhe zbatimit të një marrëveshjeje historike Prishtinë-Beograd, që do të mbyllte edhe një konflikt të ngrirë në Ballkan”, shprehet Neziri.
Optimist në këtë drejtim nuk shprehet gazetari dhe opinionisti kosovar, Xhevdet Pozhari, i cili në prononcimin për Agjencinë e lajmeve Flaka thotë që duke pasur para syshë rrethanat politike në Kosovë e Maqedoni të Veriut, mbetet pak hapësirë për të fol për një koordinim të mirëfilltë.
“Përtej posteve ministrore, një qeveri përcaktohet nga prioritetet të cilat i ka në plan ai që udhëheqë me të. Nëse keyeministri do të ishte shqiptar, ashtu siç trumbetonte para zgjedhjeve partia e Ali Ahmetit, atëherë do të kishte hapësirë për të diskutuar rreth mundësisë së një koordinimi më të mirë rajonal në rrafshin e diplomacisë ndërkombëtare. Por, gjykuar nga të bëmat e deritanishme të BDI-së është dëshmuar se ata vetëm premtimet i japin në gjuhën shqipe, kur vjen puna te qeverisja në raport me interesat e shqiptarëve atje nuk veprojnë ndryshe nga maqedonasit. Derisa në pjesët ku banojnë maqedonasit investohet, aty ku janë të përqëndruar shqiptarët vetëm grupet e BDI-së pasurohen. Në këto rrethana kur Ali Ahmetin dhe Hashim Thaçin përpos biznes-interesave i bashkon edhe halli ndaj Gjykatës Speciale që kjo mendësi e pushtetarëve ia solli UÇK-së si peshqesh, mbetet pak hapësirë për të fol për një koordinim të mirëfilltë. Përjashtim bën Edi Rama i cili veç pasi u bë kryeministër e kuptoi se edhe në Maqedoninë e Veriut jetojnë shqiptarë, ndërsa në Kosovë këdo që nuk e përkrahë Hashim Thaçin e shpalli gomarë. E, derisa në krye të institucioneve kemi kësi udhëheqës, është e pritshme që të tërhiqen njohjet e Kosovës dhe ky shtet të kushtëzohet me marrëveshje ku e kaluara e shqiptarëve zhbëhet, ndërsa zhvillimet politike varen nga ata që e fatin e tyre politik e kanë barazuar me të ardhmen e vendit”, shprehet Pozhari për Flaka.
Analisti Neziri por edhe Peza, në këtë zhvillim shohin edhe mundësinë e zhvillimit ekonomik të tre shteteve të Ballkanit.
“Shfrytezimi i kater lirive europiane: levizjes se njerezve, mallrave, kapitalit dhe sherbimeve ne kete hapesire do te ishte hapi i pare konkret drejt qellimit final. Ndersa bashkimi i faktorit politik shqiptar ne Maqedonine e Veriut ne kushtet kur ne 100 ditet e fundit te mandatit te qeverise se re Zaev, Kryeministri kujdestar do te jete shqiptar, rrit me shume se kurre shanset reale, per nje Kryeminister shqiptar me mandat te plote 4 vjecar, ne zgjedhjet e ardheshme. Ky po, qe do te ishte realisht nje zhvillim historik, qe do ta ridimensiononte cilesisht ndryshe, peshen e faktorit shqiptar ne Ballkan. Uroj qe me betimin e ministrit te Jashtem shqiptar ne Shkup, te ecim me shpejt, drejt sfidave te perbashketa te se ardhmes”, shprehet Peza.
Në këtë drejtim, analisti Neziri shprehet që: “Gjithçka do të varret nga kreativiteti dhe iniciativat e tyre individualisht”.
“Iniciativat ekonomike që mund t’i nxisin poashtu mund të rezultojnë me zhvillim më të theksuar ekonomik të tre vendeve. Por, gjithçka do të varet nga kreativiteti dhe iniciativat e tyre individualisht dhe të qeverive që përfaqësojnë”, shprehet Neziri.
Me emërimin e Osmanit si ministër i punëve të jashtme, shqiptarët e rajonit, respektivisht Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, do të përfaqësohen në diplomacinë ndërkombëtare me tre ministria të punëve të jashtme.