Prej nesër fillon pagesa e pensioneve të gushtit

Prej nesër fillon pagesa për pensionet e gushtit. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale informon se pensionet do të paguhen para kohe dhe në faza, me qëllim të mundësohet mbrojtje më e madhe e pensioneve në kushte të rrezikut nga Kovid-19.

Ngritja e pensioneve përmes filialeve dhe ekspoziturave të bankave, për pensionistët të cilët nuk përdorin kartela, do të realizohet në katër grupe, sipas lartësisë së pensionit:

Të mërkurën, më 26 gusht, pagesa e pensioneve në lartësi deri në 11.000 denarë; Të enjten, 27 gusht, pagesa e pensioneve në lartësi prej 11.001 denarë deri në 14.000 denarë; të hënën, 31 gusht, pagesa e pensioneve në lartësi prej 14.001 deri në 18.000 denarë; të Martën, 01 shtator, pagesa e pensioneve në lartësi mbi 18.000 denarë.

“Pensionistët të cilët përdorin kartelë pagesore lidhur me llogarinë në të cilën transferohen pensioni, me paratë mund të disponojnë nga e mërkura, 26 gusht. Ata munden ta marrin pensionin në bankomat, t’i përdorin mjetet për pagesë në rrjetin tregtar apo për pagesë elektronike”, thonë nga MPPS.

Për pensionistët të cilët deri më tani e kanë marrë pensionin përmes bankës Eurostandard SHA dhe të cilët ende nuk kanë hapur llogari transaksioni në bankë tjetër përmes së cilës vazhdojnë ta marrin pensionin, do të vijojnë pagesa shtesë të pensioneve të gushtit më datë 7, 14 dhe 25 shtator të vitit 2020.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale tregon se pensionet janë të sigurta në llogaritë e shfrytëzuesve, ndërsa sistemi pensional është i qëndrueshëm.

“U bëjmë apel pensionistëve t’u përmbahen sipas kalendarit për pagesa, sepse që pagesa në faza është bërë me qëllim që të shmanget turma para bankave dhe të ulen mundësitë për rrezikimin e shëndetit personal dhe publik. Përkujtojmë në obligimin e mbajtjes së maskës dhe mbajtjes së distancës gjatë pritjes para dhe brenda në banka”, thonë nga MPPS-ja.