Greqia fillon manovrat ushtarake në Mesdhe

Tensioni në Mesdheun Lindor pritet të arrijë kulmin këtë javë pasi Greqia ka njoftuar fillimin e manovrave ushtarake në juglindje të Kretës. Në këto manovra do të përfshihet flota detare dhe ajo ajrore. Ndërkaq, me qëllim rifillimin e dialogut midis dy vendeve, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas do të vizitojë të martën Athinën dhe Ankaranë.

Greqia njoftoi të hënën fillimin e manovrave ushtarake me përfshirjen e marinës dhe të forcës ajrore në rajonin e Mesdheut Lindor, në një njëjtën zonë ku Turqia po kërkon për naftë dhe gaz.

Autoritetet thanë që manovrat do të fillojnë të martën në juglindje të ishullit grek të Kretës dhe do të përfundojnë të enjten.

Në këtë zonë Turqia ka dislokuar një anije kërkimore të shoqëruar nga anije luftarake që hulumton terrenin nënujor në kërkim të naftës dhe gazit. Ankaraja ka paralajmëruar se aktivitetet e anijes Oruç Reis do të vazhdojë deri më 27 gusht.

Më 21 gusht, presidenti, Recep Tayyip Erdogan, tha se Turqia ka zbuluar rreth 320 miliardë metra kub gaz natyror në gjirin e Detit të Zi.

Qeveria turke kundërshton pretendimet e Greqisë për të drejtat ekskluzive në ujërat ku po zhvillon kërkimet anija, duke argumentuar se ishujt nuk duhet të përfshihen në përcaktimin e kufijve detarë midis vendeve.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë mbështetur deri më tani Greqinë në mosmarrëveshjen mes dy anëtarëve të NATO-s.

Ndërkohë në negociatat midis Athinës dhe Ankarasë është përfshirë drejtpërdrejt Gjermania.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas do të vizitojë të martën Athinën dhe Ankaranë në përpjekje për të rifilluar bisedimet midis zyrtarëve të lartë grekë dhe turq, një nismë që filloi në korrik, por u prish nga Turqia disa javë më vonë, kur Greqia dhe Egjipti nënshkruan marrëveshjen e përcaktimit të zonave ekskluzive ekonomike.