Komisioni evropian ka realizuar bisedime me kompaninë “Moderna” nga Teksasi për furnizim të mundshëm të vaksinave të ardhshme kundër Kovid-19, u kumtua sot në Bruksel.
Kompania amerikane “Moderna” është kompania e pestë me të cilën Komisioni evropian, në emër të vendeve anëtare të BE-së, pati bisedime për furnizim të vaksinës potenciale kundër koronavirusit të ri për tregun evropian.
Për BE-në tani për tani është paralajmëruar furnizimi me 80 milionë doza menjëherë sapo të konstatohet se vaksina është e sigurt dhe efikase.
“Investojmë në kompani të cilat përdorin teknologji të ndryshme për ta rritur mundësinë për marrje të vaksinës së sigurt dhe efikase. Do të vazhdojmë të bisedojmë me kompani të ndryshme sepse dëshirojmë të jemi të sigurt se vaksina shpejtë do të ketë qasje në treg. Nga investimet evropiane në vaksinë kundër koronavirusit, dobi do të ketë e tërë bota”, deklaroi kryetarja e Komisionit, Ursulla fon der Lajen.
Komisioni evropian deri më tani ka kontaktuar edhe me kompaninë franceze “Sanofi”, amerikanen “Xhonson & Xhonson”, “Kjurvak” nga Gjermania dhe kompaninë farmaceutike britaniko-suedeze “Astra Zeneka” me seli në Kembrixh.