Organizata Botërore e Shëndetit njoftoi sot se 172 vende po marrin pjesë në nismën globale “Kovaks”, e cila synon të sigurojë qasje të barabartë në vaksinat e koronavirusit në të ardhmen, dhe theksoi se nevojiten më shumë fonde për zhvillimin e vaksinave.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adanom Gebrejesus tha se nisma ishte thelbësore për t’i dhënë fund pandemisë Covid-19, duke shtuar se “jo vetëm që do sjellë deri te bashkimi i rreziqeve në vendet që zhvillojnë dhe blejnë vaksina, por gjithashtu do të sigurohen çmimet e vaksinave të jenë sa më të ulëta të jetë e mundur.
Nisma drejtohet bashkërisht nga OBSH, Aleanca e Vaksinimit GAVI dhe një Koalicion i Inovacionit për të arritur gatishmërinë për përgjigje ndaj epidemisë.
Me nismën deri tani janë përfshirë nëntë vaksina potenciale kundër Kovid-19, ndërsa qëllimi i saj është që vendeve nënshkruese t’u sigurohet deri në fund të vitit 2021 gjithsej dy miliardë doza vaksina.
Vendet që dëshirojnë të bashkohen me nismën duhet të shprehin zyrtarisht interesin e tyre deri më 31 gusht, dhe të konfirmojnë qëllimin e tyre për t’u bashkuar deri më 18 shtator, ndërsa pagesa e parë e mjeteve të destinuara për zhvillimin e vaksinave duhet të bëhen deri më 9 tetor, përkujtojnë agjencitë botërore.