Ish-Zonja e Parë Michelle Obama, rivali Bernie Sanders dhe republikani i shquar John Kasich, bashkuan forcat për të treguar unitet në mbështetje të kandidatit demokrat për Presidentin amerikan Joe Biden të hënën, në mbrëmjen inauguruese të Konventës Demokratike. Një koalicion i gjerë kundër Presidentit Donald Trump u paraqit në Konventën e mbajtur në Milwaukee.
Michelle Obama udhëhoqi paradën e folësve të cilët avokuan për presidencën e Bidenit për ta emëruar zyrtarisht atë si sfiduesin demokrat të Trump-it në zgjedhjet e 3 nëntorit të SHBA.
“Në përgjigje të grupit të paparë të krizave me të cilat po përballemi, na duhet një përgjigje e paparë – një lëvizje, si asnjëherë më parë, e njerëzve që janë të gatshëm të ngrihen në këmbë dhe të luftojnë për demokracinë dhe vendosmërinë,” tha Bernie Sanders.
Pandemia e koronavirusit ka detyruar demokratët të zvogëlojnë tubimin në Milëaukee dhe ta kthejnë atë në një ngjarje dy-orëshe me fjalime virtuale. Konventa përfshinte diskutime me votuesit nga i gjithë vendi, të cilët përshkruan luftën e tyre kundër virusit dhe përballimin e rënies ekonomike dhe shëndetësore.
Kishte gjithashtu një thirrje për një përballje të gjerë ndaj racizmit të pretenduar policor, me shkas vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd në Minesota, nën gjurin e një oficeri të bardhë të policisë.
Duke folur nga Houston, vëllai i Floyd, Philonise Floyd prezantoi një moment heshtjeje dhe nderoi viktimat e tjera lëkurëzinj të dhunës në polici.
“Pra, varet nga ne që të vazhdojmë luftën për drejtësi. Aksionet tona do të jenë trashëgimia e tyre,” tha Floyd.
Biden, i cili ishte nënkryetar gjatë presidencës së Barack Obama, do të emërohet zyrtarisht të martën si sfiduesi demokrat i Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit. Fjalimi i Biden për pranimin e kandidaturës do të përfundojë Konventën, raportojnë agjencitë.