Organizata Botërore e Shëndetësisë ka raportuar numër rekord të rasteve ditore në 24 orët e fundit. 294, 237 raste të reja me COVID 19 janë regjistruar, me çka numri i përgjithshëm i të prekurve në gjithë botën ka shkuar në 21 milion, prej të cilëve 6,5 milion raste aktive. Ndërkaq 9 985 persona humbën jetën si pasojë e pandemisë, duke e çuar në 755 786 totalin e viktimave.
Amerika Veriore, Qendrore dhe ajo Jugore janë rajonet me më shumë raste. Ndërkohë që SHBA, Brazili dhe India kryesojnë listën e shteteve më të prekura. Së fundmi situata është përkeqësuar në Korenë e Jugut, Francë dhe Zelandë të re. Koreja e Jugut pas 5 muajsh ka shënuar rritjen e parë e mbi 200 rasteve ditore, me 280 rastet e 24 orëshit të fundit.
Franca me mbi 3000 raste të reja po shqyrton bartjen e maskave në vendet e punës, ndërkohë që Britania e Madhe ka vendosur masën për karantinë 14 ditësh për të gjithë që kthehen nga territori francez. Zelanda e Re pas 102 ditësh pa asnjë infektim, regjistroi 13 raste të reja me çka numri i të infektuarve shkoi në 69 dhe për këtë vendi po shqyrton shtyrjen e zgjedhjeve të 19 shtatorit. Për të tretën ditë me radhë, Japonia po raporton mbi 1000 raste ditore.
Situata me pandeminë mbetet e përkeqësuar edhe në rajon. Së fundmi OBSH dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat iu ka bërë thirrje shteteve të sigurohen se prokurimi dhe shpërndarja e ilaçeve të kontrolluara i plotësojnë nevojat e pacientëve, qoftë atyre me Koronavirus qoftë pacientëve me probleme të tjera shëndetësore.