A mund të zbatohej “imuniteti i tufës” me Corona-n? Dr. Fauci jep mendimin e tij

Vdekjet në lidhje me virusin koronar do të ishin të mëdha dhe plotësisht të papranueshme nëse Shtetet e Bashkuara do zbatonin strategjinë e “imunitetit të tufës”, tha drejtori i Institutit Kombëtar Amerikan për Alergji dhe Sëmundje Infektive, Anthony Fauci.

“Imuniteti i tufës” është pika në të cilën shumica e popullsisë, midis 70 dhe 90 përqind, zhvillon mbrojtje kundër sëmundjes dhe ka dy mënyra për ta bërë këtë – infeksion në masë ose vaksinim.

Në atë rast, virusi është shumë më i vështirë për t’u përhapur, dhe madje edhe njerëzit që nuk janë të infektuar ose të vaksinuar kanë një mbrojtje.

Por Fauci tha se nëse të gjithë e marrin këtë sëmundje, shumë njerëz do të vdesin.

“Nëse shikoni në Shtetet e Bashkuara, epideminë tonë të obezitetit dhe numrin e personave me hipertension, numrin e diabetikëve…Nëse të gjithë infektohen, numri i vdekjeve do të ishte i madh dhe plotësisht i papranueshëm”, tha ai në një intervistë.

Mediat amerikane kujtojnë se është ende mjaft e paqartë nëse njerëzit që shërohen nga infeksioni kanë imunitet ndaj virusit, nëse po – për sa kohë.

Nëse do të përdoren taktikat e përpjekjes për të arritur “imunitetin e tufës”, do të ishte e tmerrshme për spitalet që do të ishin plot pacientë.