Fermat e erës dhe panelet diellore prodhuan 10 përqind të energjisë elektrike në botë në gjysmën e parë të vitit 2020, ndërsa prodhimi i energjisë së qymyrit po bie, tregon një raport të enjten publikuar nga Reuters.
Shkencëtarët paralajmërojnë se shkurtime më të mëdha në gazrat serë në sektorin e energjisë janë të nevojshme në dekadën e ardhshme për të kufizuar ndryshimin e klimës dhe pasojat e saj negative si përmbytjet, thatësirat dhe humbja e biodiversitetit.
Prodhimi i energjisë elektrike nga fermat e erës dhe panelet diellore u rrit me 14 përqind në gjysmën e parë të vitit 2020 në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa 8.3 përqind më pak energji elektrike erdhi nga termocentralet me qymyr, sipas një raporti nga qendra e pavarur e mendimit Ember.
Në përgjithësi, kërkesa për energji elektrike ra me 6 përqind gjatë gjashtë muajve të parë të pandemisë koronavirus, thuhet në raport.
Megjithë rënien, termocentralet e qymyrit ende prodhojnë 33 përqind të energjisë elektrike në botë.
“Në mënyrë që të ruhet mundësia e mbajtjes së ngrohjes së Tokës në 1.5 gradë Celsius, prodhimi i energjisë së qymyrit duhet të bjerë me 13 përqind çdo vit këtë dekadë,” tha analisti i Ember, Dave Jones.
Përqindja më e lartë e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme është në Evropë (21 përqind) dhe MB (33 përqind). Kina është në 10 përqind dhe Shtetet e Bashkuara me 12 përqind.
Prodhimi i qymyrit ra 31 përqind në Shtetet e Bashkuara, 32 përqind në Evropë dhe vetëm dy përqind në Kinë.
Raporti i Ember-it ka analizuar të dhënat nga 48 shtete që përbëjnë 83 përqind të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike.