Një aeroplan nga Shkupi me 157 pasagjerë, të shtunën arriti në aeroportin në qytetin finlandez Turku, prej të cilëve pas testimit 24 rezultuan pozitivë me Kovid-19, kumtoi ministrja e Çështjeve Familjare dhe Shërbimeve Sociale të Finlandës, Krista Kiuru.
Për këtë shkak, Finlanda do të vendosë teste të detyrueshme të koronavirusit dhe karantinë për udhëtarët nga vendet me rrezik të lartë, transmeton Rojters.
Ministrja Kiuru informoi se të shtunën, testimi vullnetar i të gjithë pasagjerëve që vinin me fluturim nga Shkupi, u organizua në aeroportin në Turku, pasi autoritetet përcaktuan se dy fluturime të fundit nga Maqedonia e Veriut dhe Rumania ishin burimet kryesore të infeksioneve të reja me koronavirus në Finlandë.
Në të ardhmen, karantinë dyjavore do të jetë e detyrueshme dhe testet koronavirus do të kryhen për këdo që arrin nga vend ku ka mes 8 dhe 10 raste të Kovid-19 për 100.000 banorë në 14 ditët e fundit.
Linjat ajrore do të duhet të informojnë pasagjerët se ata do të testohen pas arritjes në Finlandë.
Mosrespektimi i karantinës dyjavore do të dënohet deri tre muaj burg ose me para.
Javën e kaluar, Finlanda kishte 2,3 të infektuar në 100.000 banorë. Vendi deri më tani ka regjistruar 7.600 raste pozitive me Kovid-19 dhe 333 raste të vdekjeve.