Shkollat fillore dhe të mesme pritet t’i hapin dyert më 1 shtator për të nisur vitin e ri shkollor me prezencë fizike të nxënësve. Këtë e paralajmëroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi duke shtuar se ka kohë të mjaftueshme për organizimin e procesit mësimor duke respektuar të gjitha protokollet shëndetësore për mbrojtje nga Covid 19.
“Ne po përgatitemi për fillim të vitit shkollor nga 1 shtatori. Kemi kohë që viti shkollor të fillojë me kohë, kemi kohë që të përgatiten të gjitha shkollat që ti respektojnë protokollet. Këtyre ditëve gjithçka do të finalizohet, edhe nga SASHK-u kemi kërkuar propozime të cilat i kanë dërguar dje. Faza tjetër është që edhe një herë protokollet të shqyrtohen në Komisionin për Sëmundje infektive dhe pastaj në Qeveri të vendoset konkretisht për cilin model, cilat rrethana dhe në cilën gjendje epidemiologjike do të aktivizohet modeli konkret”- deklaroi Arbër Ademi, ministër I Arsimit dhe Shkencës.
Ademi është kategorik se të gjitha shkollat duhet sigurojnë distancë për nxënësit pavarësisht numrit të madh të nxënësve në shkolla të caktuara.
“Në qoftë se është organizuar në një ndërrim të organizohet në dy ndërrime, në qoftë se është organizuar në dy ndërrime të ketë organizim të mësimit në tre dhe eventualisht në katër ndërrime në mënyrë që të ruhet distanca fizike në mes nxënësve”- pohoi Arbër Ademi, ministër I Arsimit dhe Shkencës.
Sipas MASH, më se voni deri më 10 gusht pritet të konkretizohet modeli final për realizimin e procesit mësimor për vitin e ri shkollor 2020-21. Propozimet e Ministrisë së Arsimit janë diskutuar edhe në Shtabin e Krizës ku ka mbizotëruar qëndrimi që viti i ri shkollor të fillojë me prezencë fizike. Mirëpo, ditëve në vijim do të vendoset nëse propozimet e dikasterit të Arsimit do të vlejnë njëjtë edhe për shkollat ku numri i nxënësve është i vogël dhe nuk është e nevojshme ndarja e nxënësve në grupe ose mësimi të zhvillohet në ndërrime.