Hera e parë: Facebook heq një postim COVID të Trump

Rrjeti social popullor Facebook hoqi të mërkurën një video në të cilën Presidenti amerikan Donald Trump thotë se fëmijët janë “pothuajse imun ndaj COVID-19”.

Shpjegimi i Facebook për këtë veprim është se videoja shkelte rregullat e kompanisë kundër përhapjes së dezinformatave për llojin e ri të koronavirusit.

“Kjo video përmbante pretendime të rreme në lidhje me imunitetin e pretenduar të një grupi të veçantë ndaj COVID-19, që është një shkelje e politikës sonë e drejtuar kundër përhapjes së dezinformatave për sëmundjen,” tha një zëdhënës i Facebook.

Kjo është hera e parë që ata hoqën një njoftim të Trump për shkak të dezinformatave për koronavirusin.

Shtëpia e Bardhë nuk e komentoi këtë veprim të Facebook.

Më parë, Twitter reagoi ndaj postimeve të Trump në disa raste duke i bllokuar ato.