Edhe zyrtarisht ka filluar “gara” për formimin e Qeverisë së re pasi Kuvendi dje mbajti mbledhjen konstitutive. Edhe kryetari i LSDM-së Zoran Zaev dhe ai i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski paralajmërojnë shumicë prej 61 deputetë.
Sipas Zaevit të gjitha opsionet janë të hapura. Në pozicion identik është edhe Mickoski. Afatet po rrjedhin.
Në Kushtetutë është paraparë që presidenti i vendit në afat prej dhjetë ditëve nga konstituimi i Kuvendit, mandatin për përbërje të Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Parlament. Mandatari në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit i parashtron program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë. Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedhë Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
“Prej sot fillojmë bisedime për mandat të plotë katërvjeçar i cili do të na sjellë qeveri katërvjeçare e cila është e gatshme që të punojë. Do të bisedojmë për qeveri e cila kujdeset për të gjithë qytetarët e çliruar nga paragjykimet etnike dhe e cila nuk ka kurrfarë dilemash – Maqedonia e Veriut, një shoqëri për të gjithë. Do të bisedojmë për qeveri e cila do të luftojë kundër korrupsionit dhe krimit. Kujdes të veçantë do t’i kushtohet vetingut të gjyqësorit dhe origjinës së kapitalit te secili funksionar”, thekso Zoran Zaev.
Ai tha se në periudhën e ardhshme do të zhvillohen bisedime në disa nivele dhe se pret se për 10 deri 15 ditë do të ketë rezultat nga këto bisedime. Tha se do të bisedojë me liderët e partive politike dhe sapo të ketë ndonjë progres, partia do ta informojë publikun.
Lideri i LSDM-së Zoran Zaev është i bindur se do të arrijë të formojë qeveri stabile dhe të suksesshme me mandat katërvjeçar.
“Këtë e themelojmë në bazë të shifrave. Shifrat janë mjaft të mëdha që të jenë garanci për qeveri stabile. Argumenti i dytë është besimi im personal në suksesin e punës së kësaj qeverie në kushte kur nuk keni problem me Greqinë, nuk keni problem me Bullgarinë, ndërsa në brendësi maqedonasit, shqiptarët dhe të gjitha bashkësitë tjera i kemi tejkaluar problemet më të mëdha të cilat na kanë tërhequr zvarrë në të kaluarën. Tani mbetet mejdani të punojmë në vend. Ai është terreni im. Ministër i punëve të jashtme më nuk do të jetë Zoran Zaev, do të ketë ministër për punë të jashtme. Pres të punojmë në vend”, theksoi Zaev pas përfundimit të seancës konstituive në Kuvend.
Besimi im personal, tha ai, por edhe i udhëheqësisë së LSDM-së dhe koalicionit tonë është garanci e dytë serioz për katër vjet të suksesshme.
“Besoj se do të rritemi në cilësinë për jetë të qytetarëve tanë dhe kjo është garanci serioze përveç shifrave serioze të cilat duhet të jenë gjithsesi stabile për mandatin katër vjeçar”, theksoi lideri i LSDM-së duke shtuar se shifra e madhe mund të arrihet edhe me BDI-në, Aleancën dhe Alternativën.
VMRO-DPMNE-ja gjatë periudhës së kaluar, por edhe në periudhën e ardhshme përqendrohet në bisedime për formimin e shumicës së re parlamentare, që do të nënkuptojë edhe Qeveri të re. Qeveri e cila do të përqendrohet në përballjen me problemet e vërteta, para së gjithash pandemisë së shkaktuar nga Kovid-19 dhe përballjen me pasojat e saj dhe përballjen me krizën ekonomike e cila është e pranishme dhe të gjithë po e ndjejmë si qytetarë, deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski pas mbledhjes konstituive në Kuvend.
“Por, çka do që do të ndodhë në bisedimet të cilat do t’i udhëheqë VMRO-DPMNE-ja në ditët në vijim dhe të cilat i udhëhiqte, deputetët e VMRO-DPMNE-së të cilët do të jenë pjesë e kësaj përbërje parlamentare do të jenë të përqendruar vetëm në propozime të cilat do të nënkuptojnë luftë të vërtetë kundër korrupsionit dhe krimit. Do të flasim zëshëm në qeverinë e re të cilën shpresojmë se do ta formojë VMRO-DPMNE-ja dhe menjëherë me masa intensive do të përballemi me këto sfida të cilat me të vërtetë i mundojnë qytetarë tanë”, potencoi Mickoski.
Ai pret që në ditët në vijim VMRO-DPMNE të tentojë të sigurojë shumicë parlamentare e cila në të ardhmen do të mbështesë, siç tha, një “qeveri të vërtetë reformuese e cila në vijë të shpejtë do ta dërgojë Maqedoninë para anëtarësimit të barabartë në BE”.
Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela në kontekst të formimit të Qeverisë së re tha se pret të ketë shtet juridik e cila më shpejtë të bëhet anëtarë e BE-së. Sipas Afrim Gashit nga Alternativa partive ju duhet më shumë kulturë politike dhe vullnet që do t’u shërbejnë qytetarëve.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi se bisedimet për formimin e qeverisë së re mund të fillojnë, por se ende nuk ka asgjë konkrete.
“Sot ishte konstituuar Kuvendi, tani do të shohim se cila do të jetë agjenda dhe cilat do të jenë prioritetet e Kuvendit, kështu që është herët të flasim për pritshmëritë”, deklaroi Ahmeti. Ai shtoi se sot mund të fillojnë bisedimet për formimin e qeverisë, por se ende nuk ka asgjë konkrete.
Presidenti, Stevo Pendarovski veçmë paralajmëroi se planifikon të mbajë konsultime me partitë politike pas konstituimit të Parlamentit, pas çka, në pajtim me dispozitat kushtetuese, do ta ndajë mandatin për formim të qeverisë, partisë, përkatësisht partive që do të sigurojnë shumicë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në zgjedhjet e mbajtura më 15 korrik, koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM fitoi 46 deputetë, koalicioni “Për ripërtëritje të Maqedonisë” i VMRO-DPMNE-së – 44, BDI – 15, koalicioni Aleanca dhe Alternativa – 12, E Majta 2 dhe PDSH 1 deputet.