Prokuroria heton bombat e publikuara në periudhën parazgjedhore

Pesëmbëdhjetë ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ende nuk është zbardhur se kush publikonte regjistrime të përgjuara në periudhën parazgjedhore. Regjistrime të reja të paligjshme në internet nuk ka. Ky proces i qërimit politik të hesapeve përfundoi me votimin më 15 korrik. Por, bisedat e publikuara ende qëndrojnë në kanalin e “Youtube”-s. Nga Prokuroria për Alsat bënë të ditur se janë duk hetuar – kush, si dhe pse i ka publikuar regjistrimet në të cilat aktorë kryesorë ishin liderët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski.

Deri te Prokuroria Themelore në Shkup MPB-ja ka parashtruar lajmërim me shkrim për zbatimin e kallëzimit penal lidhur me regjistrimet që ishin publikuar në disa kanale të Youtube gjatë fushatës parazgjedhore. Duke vepruar sipas lajmërimit me shkrim, janë duke u bërë kontrolle për të përcaktuar cilët persona i kanë çelur kanalet në Youtube dhe i kanë publikuar bisedat e regjistruara. Njëherësh, janë duke u bërë edhe kontrolle të tjera për përcaktimin e gjendjes faktike. Varësisht nga faktet e përcaktuara dhe dëshmitë e siguruara, Prokuroria Publike do të vendosë në përputhje me Ligjin për procedurë penale – thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

Nga dita e parë e fushatës zgjedhore, filloi edhe publikimi i regjistrimeve të paligjshme nga liderët e partive. Ndonëse edhe LSDM-ja edhe VMRO-DPMNE-ja përgënjeshtruan se si subjekte qëndrojnë pas publikimit të “bombave”, megjithatë procesi i diskreditimit politik mes tyre shkonte në mënyrë të koordinuar. Nëse do të ishte publikuar regjistrim për Mickoskin, në mënyrë të shpejtuar pas vetëm disa orëve, vijonte edhe material audio për Zaevin dhe anasjelltas. Në internet publikoheshin pjesë parciale të takimeve të dy liderëve. Zoran Zaevi bisedon me djalin e ish-kundërzbuluesit Zoran Verushevski, derisa për Mickoskin dolën disa pjesë të bisedave që i ka zhvilluar me të dënuarin Zoran Milevski – Kiçeec, por edhe me tetë deputetët e përjashtuar të VMRO-DPMNE-së, të cilët votuan për ndryshimet kushtetuese.