Zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën më 15 korrik, bazuar në qëndrimet e partive politike dhe të njohësve të çështjeve politike, do të jenë të fundit që do të organizohen nga një qeveri teknike, me pjesëmarrjen edhe të opozitës.
Ky format i qeverisë së gjerë për organizim të zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në të cilën merr pjesë edhe opozita me dy ministra dhe tre zëvendësministra, ishte instaluar në zgjedhjet e vitit 2016 pas vlerësimeve të bashkësisë ndërkombëtare se shteti dhe institucionet “ishin të kapura” dhe dyshimeve se zgjedhjet në periudhën e kaluar ishin manipuluar nga ish- pushteti i Nikolla Gruevskit.
Pas këtyre zgjedhjeve ishte miratuar edhe një ligj, me të cilin ky format i qeverisë ishte zyrtarizuar dhe sipas të cilit qeveria teknike do të nisë të funksionojë 100 ditë para çdo cikli të zgjedhjeve parlamentare, ndërsa do të përfundojë me certifikimin e rezultatin të zgjedhjeve.
Por, njohësit e çështjeve politike dhe juridike thonë se përplasjet mes partive ia kanë humbur kuptimin kësaj qeverie, e cila rol parësor kishte organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhje, por që në fakt nuk ndodhi diçka e tillë.
“Qeveria teknike e njohur si ‘Qeveria e Përzhincës’ pa dyshim që u tregua joefikase për faktin se kishte konflikt të interesave mes partive politike. Ky nuk është vetëm mendimi im, por edhe i shumë personaliteteve tjera që ndjekin zhvillimet politike. Kjo qeveri, në këtë formë nuk ishte në krye të detyrës për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Anëtarët e kësaj qeverie më shumë mbanin llogari për interesat e partive të tyre sesa për procesin zgjedhor, andaj konsideroj se një format i tillë i qeverisë nuk duhet të funksionojë pasi jemi dëshmitarë se gjatë funksionimit të saj më shumë kemi pasur grindje mes partive se sa punë për organizimin e zgjedhjeve”, thotë Temelko Ristevski, njohës i çështjeve kushtetuese.
Edhe Bashkim Selmani, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se qeveria teknike jo vetëm që nuk ka qenë efikase, por në shumë raste e ka ndërlikuar edhe më shumë punën, siç është rasti edhe me pandeminë, konkretisht masat për mbrojtje nga infektimi, që duhet të zbatoheshin nga MPB-ja, e cila drejtohej nga kuadër i opozitës, por që ishte në shënjestër të kritikave për mosveprim të duhur.
“Në këtë rast, më tepër ka pasur keqpërdorime se sa që ka ndihmuar procesin zhvillimor apo zgjidhjen e problemeve. Kjo do të thotë se partitë politike asnjëherë nuk heqin dorë nga interesat grupore dhe partiake në ato momente kur prioritet duhet të jetë interesi i përgjithshëm. Kjo qeveri e kishte rastin të dëshmohet se është në interes të qytetarëve, por fatkeqësisht u dëshmua e kundërta, pra edhe në situata të jashtëzakonshme se kryeneçësia e tyre dhe interesat grupore janë mbi shtetin dhe mbi interesat e përgjithshme”, vlerëson Selmani.
Por, përplasjet e shumta ndërmjet ministrave të dy blloqeve politike, bllokimet në punën e njëri-tjetrit i kanë humbur kuptimin kësaj qeverie saqë edhe vetë dy protagonistët kryesorë, Zoran Zaev i LSDM-së dhe Hristijan Mickovski i VMRO-DPMNE-së në një debat televiziv janë pajtuar se duhet t’i jepet fund një qeverie të tillë pasi, siç thanë, është treguar joefikase për atë që ishte formuar.