“CIVIL” bën apel për respektim të masave për mbrojtje nga koronavirusi gjatë Kurban Bajramit

“CIVIL”-i u bën apel të gjithë qytetarëve të cilët e festojnë Kurban Bajramin, maksimalisht t’u përmbahen masave për mbrojtje nga koronavirusi, gjegjësisht të shmangen kontaktet e afërta (shtrirje të dorës dhe përqafim) dhe të reduktohen vizitat në shtëpi, të cilat janë traditë për festën.

“Bajrami do të thotë gëzim, dhe për këtë u bëjmë apel të gjithë qytetareve dhe qytetarëve që gëzimin mos ta shndërrojnë në pikëllim, gjegjësisht të gjithë së bashku të kontribuojnë ndaj parandalimit të përhapjes së koronavirusit”, theksuan nga “CIVIL”-i.

Nga Qendra theksuan se besimtarët të cilët do të vendosin të shkojnë të falen në xhami, duhet rreptësisht t’u përmbahen rekomandimeve, gjegjësisht të marrin sexhade me vete, të mbajnë distancë, të mos përshëndeten me dorë.null

“Të gjithë ata të cilët do të flijojnë kafshë, mbetjet nga kafshët (lëkurën apo organet) t’i dërgojnë në vende përkatëse të cilat nuk do ta ndotin mjedisin e jetesës, gjegjësisht, sipas mundësisë, të përmbahen nga flijimi i kafshëve, por dhuratat t’i zëvendësojnë me të mira të tjera materiale ” bëjnë apel nga “Civili”.