Kurbani dhe kushtet e prerjes së Kurbanit!
“Nuk ka dyshim, se Ne, ty (o Muhamed) ta kemi dhënë kevtherin (islamin, sheriatin, fjalën La ilahe il-lallah dhe ujin e posaçëm të xhenetit). Andaj, fale namazin (e Bajramit) dhe ther kurban”.
El-Kevther,
Në islam kemi dy festa vjetore dhe që të dy festat janë të ndërlidhura me humanizëm, mirësjellje, tolerancë, butësi dhe paqe. Dhe që të dyja kanë të bëjnë me kontributin e muslimanit për të tjerët në praktikë, e jo në teori, sepse përkrahja morale ndaj të tjerëve duhet të realizohet në praktikë. Në Fitër Bajram përkrahja ndaj të tjerëve bëhet duke u dhënë mjete materiale, ndërsa në Kurban Bajram përkrahja ndaj të tjerëve bëhet duke sakrifikuar, e pastaj ajo sakrificë t’u jepet tjerëve, vetëm e vetëm për të fituar kënaqësinë e Allahut dhe të afruarit tek Ai.
Kurbani është bërë obligim (vaxhib) në vitin e dytë të hixhretit. Dhe kjo është e argumentuar me Kur’an, sunet dhe ixhma.
Për të qenë vaxhib kurbani, personi në fjalë duhet ti plotësojë këto kushte:
-Të jetë musliman, që do të thotë se jomuslimani nuk mund ta presë kurbanin, por nëse e pret, nuk i pranohet;
-Të mos jetë rob, pasi që dihet se robi nuk ka të drejtë pasurie;
-Të mos jetë udhëtar (sipas sheriatit islam), mirëpo nëse udhëtari e ther kurbanin, i pranohet, mirëpo ai kurban për të është kurban nafile (vullnetar), e jo pse e ka vaxhib. Ebu Bekri dhe Omeri r.a. nuk kanë prerë kurban kur kanë qenë udhëtarë.
-Të jetë i pasur apo të ketë mundësi materiale.
Nëse i varfëri, i cili nuk e ka plotësuar këtë kusht e pret kurbanin, i pranohet, por kurbani i tij është nafile (vullnetar) e jo vaxhib. Këtij personi i bëhet vaxhib nëse e blen kurbanin, por ndodh që i humb, atij atëherë i bëhet vaxhib, edhe pse për të parën herë nuk e ka pasur vaxhib.
-Të jetë i shëndoshë mentalisht.
– Për të vdekurin, i cili ka lënë porosi (emanet) vaxhib është prerja e kurbanit për të;
– Për të vdekurin, i cili nuk ka lënë porosi (emanet) nuk është vaxhib prerja e Kurbanit.
– Kurbani edhe për të gjallët edhe për të vdekurit pritet prej ditës së parë e deri në ditën e tretë të Kurban Bajramit.
Shart është nijeti. Prerja e kafshës mundet të jetë për mish, por edhe për afrim tek Allahu. Për këtë arsye shart është nijeti se Muhamedi a.s. ka thënë:
“Nuk ka dyshim se veprat shpërblehen sipas qëllimit”.
Allahu e din më së miri!