Një aspekt interesant i pranisë së Spanjës në Shqipëri në shek. XVI ishin edhe nënshtetasit spanjollë të fesë hebraike që ishin dëbuar nga atdheu i tyre iberik. Ky dëbim nga Gadishulli Iberik fillon nga fundi i shek. XV dhe përbën një kapitull tragjik të historisë mijëravjeçare të hebrenjve. Ashpërsimi i lëvizjes antisemite dhe antimyslimane arriti kulmin me shpalljen e dekreteve mbretërore të posaçme të çiftit mbretëror spanjoll Ferdinandi dhe Isabela, më 31 mars të vitit 1492 për dëbimin dhe konvertimin zyrtar të hebrenjve nga Spanja dhe Siçilia. Shembullin e tyre u detyrua ta ndjekë edhe sovrani i Portugalisë, Manueli I, i cili më 5 dhjetor të vitit 1496 shpalli gjithashtu dëbimin dhe konvertimin e hebrenjve dhe myslimanëve portugezë.
Në kontrast me këtë politikë ekstremiste zyrtare sulltani osman Bajaziti II, duke u mbështetur në frymën e sheriatit, shpalli në vitin 1492 një dekret për pranimin në tokat e Perandorisë Osmane të të gjithë refugjatëve hebrenj të dëbuar nga Spanja, Portugalia dhe vendet e tjera të krishtera. Trojet shqiptare u bënë një nga korridoret kryesore të eksodit të hebrenjve drejt shtetit osman që i mikpriti pa mëdyshje. Atyre u garantohej liria e vendosjes në territorin osman dhe në të njëjtën kohë urdhëroheshin autoritetet osmane të merrnin të gjitha masat për të lehtësuar hyrjen dhe ngulimin e hebrenjve iberikë në territoret e qeverisura prej tyre. Kronisti hebre i shek. XVI Rabini Eliyahu Capsali shkon deri aty sa thotë se Sulltan Bajaziti II dërgoi emisarë tek hebrenjtë spanjollë për t’i mikpritur kur mori vesh për masat e ndërmarra nga shtetet iberike për dëbimin e tyre. (R. Eliyahu Capsali, Seder Eliyahu Zutta, vëll. I, Jeruzalem, 1976, f. 218-219).
Kështu dëshmive sporadike të pranisë së tyre në Shqipëri gjatë mesjetës u shtohen edhe dokumentet që tregojnë për kthimin e porteve shqiptare në një derë mikpritjeje ndaj tyre në periudhën e persekutimit dhe dëbimit nga Spanja dhe Portugalia, por edhe nga shtete të tjera të Europës. Duke qenë porti shqiptar më i rëndësishëm nën sundimin osman, Vlora u bë menjëherë një nga dyert e shpëtimit për këta hebrenj. Edhe pse një pjesë e madhe e atyre që mbërrinin në Vlorë, vazhdonin rrugën drejt qyteteve të tjera të shtetit osman si Stambolli, Selaniku apo Izmiri, numri i atyre që zgjidhnin të qëndronin në qytet ishte aq i madh, saqë praktikisht në shek. XVI Vlora u shndërrua në një qytet shqiptaro-hebre. Deri në këtë kohë ka shumë pak të dhëna për praninë e tyre në Vlorë, por në shek. XVI numri i bashkësisë hebreje të Vlorës u shumëfishua.
Kryeqendra e perandorisë, Stambolli dhe disa qendra të tjera të rëndësishme urbane si Selaniku, Sarajeva, Shkupi etj., u mbushën me ardhës të rinj hebrenj nga vende të ndryshme të Perëndimit.
Një peshë të konsiderueshme në mërgatën hebraike të kësaj kohe kishin edhe hebrenjtë italikë, të cilët u shpërngulën nga rajone të ndryshme të Italisë (Pulia, Ankona, Venecia, Napoli etj). Nganjëherë kjo përndjekje e hebrenjve i tejkalonte kufijtë formalë politikë. Në prill të vitit 1502, një anije që ishte nisur nga Pulja në drejtim të Vlorës, u sulmua nga spanjollët, të cilët sipas një rrëfimi mbytën 20 pasagjerë hebrej që synonin të mbërrinin në tokën shqiptare. Pasuria e viktimave u shit në Raguzë, kurse sulmuesit nuk patën asnjë qortim nga askush. Edhe në Raguzë dokumentohet trasportimi i tyre drejt Selanikut e Stambollit që në vitet 1501-1502 dhe njëkohësisht edhe përshkrime të sulmeve të shtuara ndaj anijeve që transportonin hebrenj.
Hebrenjtë sefarditë që u vendosën në Vlorë shumë shpejt filluan ta përdorin pozitën e këtij porti për të zhvilluar tregtinë me bregun perëndimor të Adriatikut. Këta hebrenj u integruan në jetën e vendit mikpritës aq shpejt saqë në verë të vitit 1534, Venediku ankohej tek sulltan Sulejmani I se një levend i quajtur Sinan hebreu kishte kryer inkursione në Korfuz dhe kishte dëmtuar anije të ngarkuara me drithë. Madje jo vetëm që ishin tregtarë, por edhe kishin anijet e tyre me të cilat bënin tregti. Të sigurtë nga përkrahja dhe të drejtat që gëzonin në Shqipërinë osmane, hebrenjtë e Vlorës kishin edhe statusin e rezidentit në Venecia dhe në qytetet italiane të bregut adriatik. Këtë e dëshmojnë regjistrat e siguracionit të anijeve për vitet 1592- 1609. Bashkësia hebraike e Vlorës në shek. XVI përbënte bashkësinë më të madhe hebraike në Rumeli pas asaj të Selanikut. Regjistrimi osman i vitit 1519-1520 e pasqyron realitetin e ri hebraik të Vlorës, pasi përkrah 945 familjeve të krishtera dhe 85 myslimane, dalin edhe 528 familje hebreje. (Ferit Duka, “Defteri osman i regjistrimit të pronave dhe të popullsisë të sanxhakut të Vlorës i vitit 1520”, Studime Historike, 3-4 (Tiranë, 1991), f. 167-199.) Edhe pesha e kësaj bashkësie në ekonominë e qytetit ishte po aq e rëndësishme, veçanërisht në fushën e kreditimit financiar dhe të tregtisë. G. Veinstein ka analizuar peshën e tyre në jetën e qytetit të Vlorës në bazë të të dhënave të Regjistrit (Sixhilit) të Kadiut të Vlorës të viteve 1567-1568. Edhe pse porti i Vlorës më së pari shërbente si pikëmbërritje e hebrenjve iberikë që më pas vazhdonin drejt qyteteve të tjera të shtetit osman, edhe ajo pjesë që vendosi të qëndrojë në Vlorë ishte e majftueshme për ta shtuar bashkësinë hebraike në qytet deri në rreth 40% të popullsisë totale. Edhe kur Pouqueville e vizitoi Vlorën që në atë kohë të fillimshekullit XIX kishte rreth 6 mijë banorë, në mesin e tyre jetonin edhe një numër jo i madh hebrenjsh të deportuar nga Ankona prej Papës Pali IV.
Përveç tregtisë dhe financës, një nga rolet më të rëndësishme që hebrenjtë kryenin ishte ai i ndërmjetësimit të lirimit të robërve. Më 18 qershor 1539, Franjo Sarmiento, qeveritari spanjoll i Hercegnovit i shkruante një fisniku raguzas, se një dinjitar i lartë spanjoll ishte zënë rob kur po udhëtonte nga Hercegnovi për në Pulia. Ky spanjoll i kishte kërkuar që ti dërgonte 60 dukate ari, tek rabini i Vlorës Angjelo Aniel për ta liruar nga robërimi. Po ashtu në 1541 konsulli raguzan në Vlorë, hebreu Samuel Angjelo, liroi një numër robërish raguzanë të rrëmbyer së bashku me anijen e tyre nga korsarë algjerianë. Në periudhën e betejës së Lepantit, më 1571, pesë banorë të ishullit të Lastovos që i përkiste Raguzës kishin rënë rob, duke përfunduar në Vlorë. Konsulli raguzas, hebreu Jakov Koduto dhe i vëllai, Abrahami u përfshinë në traktativat e lirimit. Caktimi i konsujve me origjinë hebreje si përfaqësues të Raguzës në Vlorë duket se pasqyronte këtë rëndësi që elementi hebre kishte në Vlorë. Familja hebreje Coduto mund të konsiderohet si një dinasti konsujsh raguzanë në Vlorë, pasi edhe në vitet 1610-1620 konsull i Raguzës në Vlorë ishte një nga kjo familje. Një nga detyrat më të rëndësishme të tij ishte sigurimi i sasive të nevojshme të drithit në Vlorë për furnizimin e Raguzës.
Bashkësitë hebraike të Vlorës ashtu si edhe bashkësitë e tjera në Perandorinë Osmane u përfshinë në procesin e islamizimit. Në vitin 1647 përmendet si myteselim i Sanxhakut të Vlorës një Hysen Davidliu, që për nga emri duket qartë se ishte nga ndonjë familje hebreje e islamizuar.
Marrë me shkurtime nga libri i Ardian MUHAJ, Nga Ballkani në Mesdhe. Shqiptarët prej Mesjetës në agimin e Kohës së Re, Tiranë, 2019, f. 107-113.