Disa hotele në mes të sezonit mbyllën dyert e tyre. Këtë hap e ndërmorrën pasi nuk mund të mbijetojnë financiarisht për shkak të anulimit të të gjitha prenotimeve nga mysafirët e huaj.
Nga Asociacioni i hoteleve të Maqedonisë, thonë se për momentin asnjë nga hotelet në bregun e liqenit nuk realizon as gjysmat e të ardhurave të planifikuara.
“Ka hotele të mbyllura. Hotele të mbyllura ka edhe në Greqi edhe përkundër asaj që është fuqi turistike në këto troje. Për këtë vendosin vetë ekipet e menaxherëve të hoteleve, pasi me këtë edhe humbjet do jenë më të vogla sesa të punojnë”- deklaroi Krste Bllazhevski, kryetar i HOTAM.
Edhe në Ohër disa objekte hotelerike nuk janë hapur aspak. Këtë verë nuk kanë ardhur burimi kryesorë i të ardhurave- mysafirët e huaj, por ankohen edhe për protokollet e rrepta për punë.
“Së pari shumë gjatë u prit për protokollet për punë të objekteve të hotelerisë. E dyta, protokollet i bënë të njëjta si për restorantet dhe kafeteritë dhe kjo nuk është në rregull. Është bërë tollovi dhe përfundimi im ishte, më mirë të mos punojmë sesa të maltretohemi”- pohoi Dimitar Zarçev, hotelier nga Ohri.
Nga Shoqata e hotelierëve në Ohër thonë se për shkak të krizës një pjesë e tyre kanë frikë për ekzistencën e vet. Jozyrtarisht Alsat mëson se edhe kapacitete tjera hotelerike mendojnë t’i mbyllin objektet e tyre në vjeshtë.