Kastriot DERVISHI
Në traktin e katërt, Xhelal Staravecka tregon momentet e torturimit të dy devollinjve në fshat Fravesh të Tiranës (afër Kllojkës). Në mënyrë kriminale dhe krejtësisht të poshtër, Dushan Mugosha torturon me detaje një të ri nga Devolli. Tjetri për mungesë kohe nuk i përjetoi këto skena tmerri sepse u vra. Lexoni përmbledhjen dhe kujtoni si kjo ka qenë “epopeja më e lavdishme” e dushanëve, tarrasëve e miladinëve.
Trakti i katërt
Ndodhemi akoma në katundin Fravesh, atje ku jehona e ulërimave, bërtimave, anktheve dhe e ngashërimeve kanë bërë sakat veshin dhe zemrën time. Ti o Fravesh, u shkallmofsh nga një tërmet a rrebesh. Nga të 13 të ekzekutuarit vetëm në dy më morën të asistoja në ato tortura e terror. Marrim një djalë të gjatë, të shëndoshë, rreth 30 vjeçëve. Ishte nga Devolli. Emrin jo vetëm unë nuk ja di, por edhe Dushani vet që e torturoi gjer në vdekje nuk ja dinte. Këtë e kishin kapur jashtë Tiranës, që kishte dalë për shëtitje si të dyshimtë e kishin arrestuar dhe së andejmi e shoqëronin në brigadën e parë. Neve partizanë zebanitë e xhenemit, sipas urdhrit të jezitit çalo Dushanit, e shpumë në prua. Atje mbasi e zhveshëm e lamë vetëm në brekët, se kishim nevojë për rrobat e tija që të vishnim ndonjë djalë të jezitit. Rreth kësaj viktime qëndrojnë 10-12 partizanë, në krye të të cilëve qëndron Dushani duke fërkuar duart, dukesh i gëzuar nga sytë që i ndrinin për gjakun që kishte ndër këmbë. Unë qëndroja pak larg atij rrethi i ulur në një gur, afër meje dhe Tahir Kadareja. Partizanët, sipas urdhrit të Dushanit, u armatosën menjëherë me nga një dru të shtrembër prej vërrie, më të trashë se qafa e dorës. Filloi tortura, të 10 kopaçet uleshin e ngriheshin me një ritëm të çrregullt mbi trupin e viktimës së mjerë, pa marrë parasysh se ku binin. Oh sa djalë i shëndoshë e i fortë. Po e vrisnin si gjarpri me kopaçe. Pas një kohe të disa minutave, Dushani jep urdhër të ndalohen goditjet. Kujtova se do t’i bënte ndonjë pyetje, që natyrisht me anën e torturës të nxirrte diçka. Ai tha “ç’kërkoni nga unë t’u them?”. “Kurrgjë”-përgjigjet Dushani, tashti po ta qi tëmën vetë”-shtoi Dushani.
Oh, ç’nervozitet! Nënat Shqiptare të shahen nga Dushan serbiani. Dushani mori një kopaçe në dorë dhe mbasi e ka rregulluar viktimën që ishte shtrirë në tokë, mbajtur prej partizanëve dhe mbasi ja vë këmbën e djathtë në një boshllëk i bije me atë kopaçen në qafën e këmbës dhe ja thyen. Çfarë torture e çfarë ulurime e bërtime me të ngjeth mishtë. Dushani këmbën e thyer ja rregullon prapë në atë mënyrë, dhe me një të goditur tjetër nja 20 centimetra më lart në kërci ja thyen prapë. Nuk mjafton i heq edhe brekët, me një spango të shëndoshë e lidh për koqesh dhe me një purtek të shëndoshë fillon e godet aq sa ato bëhen si ftonj të mëdhenj. Viktimës shpirti nuk i del. Atëherë merr një thikë dhe duke ja çarë kërcin e mëngjër fillon me majën e thikës t’ia kruajë kockën lart e poshtë me një ritëm të rregullt deri sa maja e thikës del në anën e poshtme.
Ç’thua ti o shoqe Ender Myrteveliu? Gënjej unë? Ç’thua ti o shok Sulo Gozelli s’janë të vërteta këto? Ç’thua ti e Tahir Kadareja që ndërsa viktima ulurinte e bërtiste ti kërdiseshe nga të qeshurit duke thënë: “bjeri, bjeri”.
Viktima akoma qëndron e gjallë dhe e fortë. Dushani jep urdhër t’i sjellin një litar me një copë dru të shkurtër e të trashë sa llëra. Litarin ja vë në kokë duke kaluar përmes ballit mbi veshët e prapa kokës rreth e përqark. Pastaj kombinon drutë me litar dhe këtë e bije rrotull. Druri vinte rrotull litari shtrëngohesh, mishtë dhe lëkura ju pre. Kocka po i ndrydhesh. Qepallat e syve të viktimës hapeshin me gishta dhe cigarja e ndezur vihesh në dritën e syve. Në thonjtë e gishtave të dorës së tij, gjilpërat hynin dhe dilnin nga rrëza e gishtit.
Ç’më thua ti o Vangjel Argjiri? O kasapi besnik i Dushanit në brigadë! Ç’më thua ti o partizan Ibrahim Hoxha nga Korça që duke bërë torturat me aq etje, kujtoje se Dushani do të bënte Timoshenko? A gënjej unë? A po i bëj të pa bëra këto. Viktima është akoma e gjallë. Fol, o Tahir Kadareja, fol që s’je Razi që këtë çik frymën e fundit të kësaj viktime ta heqësh duke i dhënë një plumb kokës: por akoma insiston për t’ia marrë me kopaçe?
Zebhanitë e Xhehnemit rrëmbejnë prapë kopaçen dhe fillojnë goditjet. Eshtra të thyera, eshtra të çara sytë të përzhitur, gishtërinjtë të shpuar, trupi i gjakosur nga gjaku çurg, pret akoma druj.
Erdhi koha e fundit, viktima s’lëvizte më, jo se i kishte rënë (të fikët) vilani po pse kish dhënë jetën. Dushani heq koburen e tij dhe i jep dy plumba të ngrohtë në kufomën e ftohtë të viktimës që kishte vdekur nga torturat. Të tërë ishin në gaz, për trimërinë që kishin kryer. Dushani në krye më dukesh sikur e kishte qetësuar urinë e tij gjakatare nga që sytë e tij të përgjakshëm hidhnin xixa gëzimi. Në këtë kohë vjen dhe një zebani tjetër xhenemi: “këtu e kemi dhe tjetrin”. Mbas 4 orë punë të terrorit në torturë Dushanin e kishte marrë uria. Ai thotë: “s’kemi nge, do të shkojmë të hamë bukë”. “Po këtë të arrestuar që kemi këtu- pyeti një nga partizanët? “Këputi një plumb”-thotë Dushani. Ej, sa fat lumtur ti o viktimë e dytë që u pushkatove pa torturuar, vetëm e vetëm se s’pati kohë Dushani. U kthyem në çadër duke ecur. Dushanit i kapa krahun dhe e pyeta: “Po ç’kishte bërë ky maskara?”. “Besa kurrgjë, po këtyre devollinjve duhet t’ia u bësh të gjithëve kështu, pse qenë me neve dhe u kthyen me Ballin”. Ç’thua ti Dushan? O Sala ynë i dashur, nuk janë të vërteta këto? Ç’mendove ti? Se me anën e terrorit do të hidhje shqiptarët në grushtin tënd? Jo jo, vetëm në një gjë pate sukses: në çeljen e vëllavrasjes….Në ekzekutimet e torturat e tjera të asaj dite të 13 viktimave nuk shkova të asistoj.
(Pjesë nga trakti i katërt. Teksti është korrektuar sipas gjuhës letrare)