Nuk e harrojmë Srebrenicën. Na e kujtojnë përditë ata që duan ta përsërisin.

Thirrja që të mos e harrojmë Srebrenicën, ashtu sikurse ajo që të mos e harrojmë Çamërinë, të mos e harrojmë Kosovën, duhet të jetë thirrje alarmi, jo përkujtimi.

Në rrjetet sociale, në gazeta, në biseda e në studio televizive mbështetësit e genocidimit të muslimanëve thjesht pse janë muslimanë na janë bërë si buka e uji. Kemi edhe shqiptarë kandidatë për çmime ndërkombtare që i quajnë muslimanët shqiptarë në palo esetë e palo shkrimet e tyre, jo muslimanë, por “rimohues”, që është një përkthim trashanik tipik nga gjuhët latine i fjalës renegat.

Ka të tjerë që janë më të trashë e më të drejtpërdrejtë akoma, që thirrjet për genocid e shfarosje ndaj muslimanëve shqiptarë i shtjellojnë edhe me palo argumenta, duke përfunduar se muslimanët shqiptarë duhet të dëbohen në Anadoll, në Azi, në Mongoli etj.

Sa për ilustrim se ku mbërrin njeriu i zhveshur nga njerëzorja janë këto dy foto të një shqiptari të vrarë nga serbët në Bosnjë, vetëm pse nuk ishte serb dhe ortodoks. Fotoja e parë është bërë nga një gazetar lufte amerikan kurse e dyta nga një gazetar tjetër. Në të parën foto ai i kërkon ndihmë gazetarit, por natyrisht gazetari nuk kishte asnjë mundësi ndihme, përveç asaj fotoje që dëshmon fytyrën e pafajshme të një punëtori sezonal 24 vjeçar nga Shkupi, në prag të vrasjes nga çnjerëzit.

Ndërsa në foton e dytë, dukshëm i rrahur nga paramilitarët ose më saktë vrasësit vullnetarë serbë, është pak minuta para djegies së tij me benzinë.

Ai quhej Hajrush Ziberi. Ishte i pafajshëm.

©kulturatv.com