INTERVISTË ME LUMTURI RISVANIN, PINJOLLEN E FAMILJES SË NJOHUR STRUGANE
STRUGA DUHET TA NJOHË DHE TA SHKRUAJË HISTORINË E SAJ TË BUJSHME
Me zonjën Lumturi Risvani takohemi shpesh në qytetin e Strugës edhe pse ajo jeton në Tiranë. Dy data nuk i harrojmë asnjëherë, 21 marsin, ditën kur ka lindur rilindasi strugan, Dr. Ibrahim Temo, emrin e të cilit e mban me krenari Gjimanzi i Strugës, që nga viti 2006 dhe 28 Nëntorin e cdo viti, ditën kur bëjmë homazhe te varret e Nuri Sojliut (firmëtar i Pavarësisë së Shqipërisë) dhe Qazim Bej Vlorës (djalit të Ismail Qemalit). Këtë 21 mars ajo nuk erdhi në Strugë për arsye të situatës së jashtëzakonshme me virusin famëkeq Covid-19. E vendosëm ta zhvillojmë këtë intervistë për Gazetën e Alpeve për ta njohur një familje strugane me virtyte të larta kombëtare.
Nga Xhemi HAJREDINI
Strugë -Tiranë, mars-prill 2020
Gazeta e Alpeve: – Kush është Lumturi Risvani?
Lumturi Risvani: – Linda në qytetin e Strugës, më 28 gusht 1944, në një familje me tradita dhe veprimtari të gjerë patriotike, gjithmonë në dobi të kombit shqiptar.
Nëna ime Hajrije Nuri Sojliu është fëmija e dhjetë dhe e fundit e familjes së Nuri Murat Sojliut. Ka lindur në Strugë, më 13.10.1912, vetëm disa javë përpara se i ati i saj, më 28.11.1912, në Vlorë, të firmoste së bashku me Z. Myrteza Struga dhe Z. Zyhdi Ohrin si delegatë, përfaqësues të popullit të Strugës dhe Ohrit, “Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë” nga Perandoria Osmane.
Gjyshi i nënës time ishte Murat Mustafa Ed’hem (Et’hem, T’hemo, Temo, Mustafaj, Bakalli, Hulo, Murati, Sojli, Soolej, Soylu, Nuriu, Struga). Kishte tre djemë:
1.-Abdullah Murat Sojli, lindur në Strugë, vdiq në Shqipëri, la pas a) Abdurrahim Abdullah Sojli, lindur në Strugë, vdiq Tiranë b) Xhemalin, lindur në Strugë, vrarë në Tiranë në 4.02.1944, c) Samiu lindur në Strugë, vdiq në Babje të Librazhdit. si tregtar me karvane ndërmjet Strugës, Shkupit, Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Manastirit, Selanikut, etj. Samiu shërbente si korrier dhe ndërlidhës në aktivitetin patriotik të atdhetarëve, shoqërive klubeve, brenda e jashtë Shqipërisë, por edhe si korrespondent apo shpërndarës i librave, broshurave shqip e ngjashëm, të dërguara nga xhaxhai i tij Dr. I. Temo. d) Vajzën Fatime, lindur në Strugë, më 1905, vdiq në Tiranë. e)Masar, lindur në Strugë, vdiq në Tiranë.
2)- Ibrahim Murat Ed’hem (Temo), u lind në Strugë, më 21mars 1865 dhe vdiq në Rumani, më 4 gusht 1945. Martuar me Nafije Menkshin nga Pishkashi i Librazhdit. Kishin këta fëmijë: a) Iskender Ibrahim Temo, lindi në Rumani, vdiq në Turqi, la pas djalin Murad- Xhenan ose thjesht Xhenan, lindur në Rumani, i cili ka djalin Ibrahim jeton në Stamboll; b) Ridvan, lindur dhe vdekur në Rumani c) Asllan ose ndryshe quhej dhe Hasan-Togo, lindi dhe vdiq në Rumani d) Naim Ibrahim Temo, emrin e të cilit e vuri në respekt të miqësisë me Frashëllinjtë, lindur në Rumani, vdiq tek i biri Alban në SHBA dhe vajzën e) Senia, lindur dhe vdekur në Rumani.
3)- Nuri Murat Sojliu, lindur dhe vdekur në Strugë. Martuar me Fatime Hysen Nasufi nga fisi Nasufi në Veleshtë. Daja i nënës time ishte Jusuf Nasufi gjeneral dhe ka marrë pjesë
me Qemal Mustafa Ataturkun në luftën e Çanakalasë në Turqi. Fëmijët e Nuriut janë: a) Shadije, lindur në Strugë, vdekur në Ohër. b) Nadije, lindur në Strugë dhe vdekur në Tiranë. Kishte djalin Mynyr Emrullah Gurra dhe vajzën Maxhide. c) Fadili, lindur në Strugë, vdekur në SHBA. d) Hadije, lindur dhe vdekur në Strugë. e) Hatixhe, lindur në Strugë dhe vdekur në Elbasan. Martuar me Ali Adem Gegën, lindur në Ohër, i internuar gjatë Luftës së Dytë Botërore në Dakao të Gjermanisë, ekzekutuar nga regjimi komunist dhe varri nuk i dihet. Familja e saj vuajti shumë. Pas demokracicë, djali i madh, Muhameti, u zgjodh Kryetar i Komunës nr. 4 të Elbasanit, djali i tij Alfredi është inxhinier tek Vodafoni. Djali i vogël,Çlirimi, merret me përkthime nga turqishtja dhe frëngjishtja, ndërsa Dashamirit ia ndërprenë studimet dhe sot është pensionist. f) Aliriza Nuri Sojliu, lindur në Strugë dhe vdiq në Ballikesir të Turqisë. La pas: Qemalin, Selmanin, Muratin, Fiqiriun, Pejkerin dhe Zualin.Të gjithë kanë lindur në Strugë, por jetojnë ne Stamboll dhe në Ballikesir të Turqisë. g) Avni Nuri Sojliu, lindi në Strugë dhe vdiq në Strugë. Pati adaptuar Gylserenin. gj) Hajrijen,qëështë dhe nëna ime. Gjyshi ka patur edhe dy fëmijë të vegjël, një vajzë dhe një djalë që kanë lindur dhe vdekur në Strugë.
4)- Vajzën Xhemile Murat Sojli, lindur në Strugë e vdiq në Ohër. La të vogël Jëlldëzin, e cila u rrit dhe u martua nga gjyshidhe dajat e saj. Jetoi dhe vdiq në Tiranë. La pas: Telatin, Melihanë, Emirenë, Remzijen, Zybejten, Fiqirijen, Abdurrahmanin, Mehmet-Tahsinin.
Nga ana e babait tim…Babai im quhej Shyqyri Ismail Përnaska dhe ishte nga Korça kurse e ëma e tij ishte Xhevrije Hysen Pulaha, nga Pulaha e Korçës, një familje me tradita e zakone shqiptare.
Jam martuar me Mit’hat Haxhi Risvanin, që kishte mbaruar Institutin e Lartë Shtetëror të Bujqësisë, në Fakultetin e Agronomisë në degën Zootekni, në Kamëz, Tiranë, me titull: Agronom i Lartë i Specializuar në Zootekni. Babai i tij Haxhi Asllan Risvani, kishte mbaruar shkollën e lartë për oficer. Nëna e tij Bedrije rridhte nga fisi i njohur tiranas “Petrela”, një nga 6 familjet e para që kanë themeluar qytetin e Tiranës.
Kam dy fëmijë, vajzën Deniza dhe djalin Arian. Deniza ka ndjekur fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, jeton në Itali, ka tre fëmijë, është një afariste dhe nënë e sukseshme. Ariani, ka ndjekur Institutin e lartë të Arteve në Tiranë, specializohet për regjizor. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare ku edhe është vlerësuar me disa çmime. Jeton në Tiranë dhe ka tre fëmijë. Jam gjyshe me tre nipa e tri mbesa. Jam motër në mes të tre vëllezërve (Remzi, Ivzi dhe Petrit). Historikisht familjet si nga nëna, babai, vjehrra dhe vjehrri kanë vazhduar të arsimohen bile shumë prej tyre duke ndjekur edhe arsimin e lartë. Unë vetë kam mbaruar në USH-të Tiranës, në degën Histori-Gjeografi, pra jam mësuese e historisë dhe gjeografisë. Kam qënë ndër nxënëset me rezultatet më të mira. Kam dhënë provimet pasuniversitare: Ffilozofi, Gjuhën turke, Historinë e përgjithshme të Shqipërisë dhe kursin për arkivistikë pranë AQSH Tiranë. Sot jam pensioniste. Kam punuar në Radio- Televizionin Shqiptar në Tiranë, në sektorin e Kulturës; në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, në Sektorin e Muzeumeve dhe në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë nga ku dola dhe në pension. Puna ime ka qënë e lidhur me aspektet e kulturës, historisë, arkivistikës. Kam bërë botime artikujsh në organet e shtypit shqiptar si: “Këmbanat e Kalasë së Krujës”; “Kam me se të luftoj dhe di përse luftoj” kushtuar Heroit të Popullit Hysen Çino; “Luftë zhvillohej edhe në burgje”; “Nuri Sojliu një nga firmëtarët e Pavarësisë së Shqipërisë”, “Ibrahim Temo në 1928: “Zogu, malësori i Matit, shqiptari më i zgjuar që njoh”; intervista e botuar “Ibrahim Themo, patrioti rilindas i lënë në hije”; “Pavarësia e Kosovës” (Përshtypje udhëtimi) kur vajta në Prishtinë me pjestarë të familjes time në atë ditë fatlume që realizoi edhe një nga brengat e paraardhësve të fisit tim e natyrisht edhe e jona dhe dëshira dhe ëndrra e popullit shqiptar. Kam dhënë intervistë në Radio-Tirana mbi: ”Fillimet e Arsimit Shqip në krahinën e Dibrës dhe në trojet e tjera shqiptare në Maqedoni, bashkë me profesorin Murat Gecaj, në emisionin “Drita e Diturisë” në 2009 si përgjigje ndaj Enciklopedisë Maqedonase. Kam marr pjesë në ngritjen dhe pasurimin e muzeumeve në qytete apo fshatra si: Muzeu i Armëve në Kalanë e Gjirokastrës, përpjekjet për pergaditjen e Përmendores “Partizani Fitimtar” – vepër e prof. Odhise Paskalit, e benmdosur në Përmet më 24.05.1969, e cila me kerkësën e Ministrisë së Arsimit u vendos në Kampin famëkeq të Mathauzenit në Gjermani; në Lekbibaj të Tropojës ku inaguruam dhe shtëpinë e Kulturës; për ngritjen e lapidarëve në çdo qytet apo fshat për dëshmorët e Luftës Nacional-Çlirimtare; për ngritjen dhe pasurimin e muzeumeve edhe në fshatra etj. Kam bërë studime të ndryshme mbi bazën e të cilave vazhdon edhe sot puna në AQSH Tiranë, si: “Mbi nevojën e krijimit të mjeteve të evidentimit të materialeve dokumentare të sistemuara, kërkesat e regjistrimit të tyre në iventarë”; “Rregullore mbi vendosjen racionale të materialeve dokumentare në depo”; “Mbi nevojën e krijimit të një strukture ose zyre të mjeteve të informimit”; ”Studim mbi punën e bibliotekës në AQSH”; “Studim mbi mjetete evidencës në sallën e studimit pranë AQSH Tiranë dhe pasqyrat dhe regjistrat përkatëse”; Studim mbi karakterin e kërkesave të studiuesve vendas apo të huaj në sallën e studimit pranë AQSH”; Rregullore e shfrytëzimit të materialeve dokumentare të Fondit Arkivor Shtetëror të RPSSH në sallën e studimit”, “Mbi hartimin e katalogëve me tregues gjeografik dhe emëror për materialet e socializmit”; “Studim mbi gjendjen e fototekës dhe punës për evidentimin
e saj”, “Hartimi i skedarëve tematik dhe emëror (alfabetik të studiuesve vendas dhe të huaj në sallën e studimit pranë AQSH të RPSSH dhe skemat e tyre si mjete evidence e informimi”, “Studime për gjendjen e iventareve të materialeve arkivore pranë AQSH-së” ose në studime me grupe pune në AQSH etj. Për ngritjen e nivelit arkivor në rang republike kemi dhënë në rrethe të ndryshme eksperiencën dhe ndihmën tonë duke organizuar edhe seminare si në Pukë, Burrel, Lushnjë, Pogradec, Gjirokastër, në ndërmarrje të ndryshme në Tiranë,etj. Gjithashtu kam qënë pjesëmarrëse në përgatitjen e ekspozitave të organizuara nga AQSH-ja me materiale dokumentare si ajo për “Dëshmorët e Luftës Nacional- Çlirimtare” apo për “Reformën Agrare pas çlirimit”. Nuk kanë munguar edhe pjesmarrjet në sesionet shkecore në AQSH, ku vetëm ose në bashkëpunim me një shoqe kam mbajtur kumtesat e më poshtëme: 1.Mbi organizimin e shfrytëzimit të burimeve arkivore pranë sallës së studimit pranë AQSH të RPSSH.”2. Aksionet e njësiteve guerile për rrëmbimin e mjeteve teknike të shtypit prej armikut dhe vënia e tyre në shërbim të fjalës… 3.-Zhvillimi i transportit automobilistik në vitet 1944-1946.4.-Upërgatit dhe u depozitua në Arkivë edhe kumtesa mbi grabitjet e monumenteve të kulturës tonë gjatë gërmimeve arkeologjike në Butrint nga Misioni Arkeologjik Italian i kryesuar nga Kont Ugolini. Në tubimet në Strugë që janë organizuar nga autoritetet vendore për nderimin e veprës të fisit Sojliu, kam shprehur edhe unë ndonjë mendim apo pjesë nga jeta dhe aktiviteti i tyre. Mbas daljes në pension marr pjesë në Qëndrën Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë me Kryetar Nderi Z. Shpëtim Sala. Ekspozitat e shumta të organizuara prej tij kanë përfshirë kryesisht periudhen e Rilindjes deri në 1944. Këto ekpozita janë hapur në qytete të ndryshme: Tiranë, Korçë, Vlorë, Prishtinë, Prizren, Strugë dhe në vende të tjera brenda e jashtë vendit.
Gazeta e Alpeve: – Pra jeni një pinjolle e familjes së njohur strugane?
Lumturi Risvani: – Po. Është e vërtetë që nga ana e linjës të nënës time jam një nga pinjollët e shumtë të fisit të njohur strugan Sojliu, familje e cila njihet edhe me mjaft mbiemra të tjerë. Origjina e mbiemrit vjen nga mbiemri Ed’hem, Et’hem, Themo, Temo, por edhe mbiemrat: Mustafaj, Bakalli, Hulo, Murati, Nuriu, Sojliu, Sojli, Sooley, Soylu, janë venënë periudha të ndryshme, kjo për t’i shpëtuar syrit të autoriteteve të kohës.
Vijon në numrin e ardhshëm
(Vijon nga numri i kaluar)
Gazeta e Alpeve: – Si ndodhi që jeni shpërngulur sa andej-këtej?
Lumturi Risvani:- Veprimtaria dhe ngjarjet politike të kohës, atdhedashuria bënë këtë lloj shpërndarje të pjestarëve të këtij fisi. Fadil Nuri Sojliu u largua në vitin 1920 në SHBA, sepse nuk pranonte të ishte pjesë e ushtrisë serbe. Ky largim mbeti një plagë e hapur për të gjithë: nënës, babait, motrave, vëllezërve. Nëna ime ishte 8 vjeçe kur u largua ai dhe e pa për herë të parë dhe të fundit mbas 47 vitesh kur të dy u takuan në Stamboll, ndërsa unë me vëllain Ivzi, në vitin 2011, kam takuar të birin e tij Robert Fadil Sooley, për herë të parë dhe deri tani e fundit në Ohër, kur ai kishte ardhur për të takuar pjestarë të familjes. Daja im Aliriza Nuri Soylu, duke mos qenë pro qeverisë serbe dhe regjimit të Millosheviçit, me gjithë dëshirën e madhe për të ardhur në Shqipëri, e detyruan të linte “Strugën e bukur mbi Drin” ashtu si shprehej Dr. I. Temo, të merrte familjen dhe nënën e tij të moshuar e të instalohesh në Turqi. Shumë pjestarë të fisit si nga gjinia mashkullore apo femërore u martuan me shqiptarë dhe një pjesë jeton në Shqipëri, Strugë, Ohër ose u larguan në kohë të ndryshme nga Struga.
Gazeta e Alpeve: – Pra edhe familja e babait tënd që jetonte në Strugë u detyrua të largohet nga vendlindja?
Lumturi Risvani:- Gjithmonë pjestarë të familjes së babait tim Shyqyri Përnaska dhe vetë babai im ka jetuar së bashku me nënën, motrat, vëllezërit edhe në Korçë, Pogradec, Strugë, e më pas në Tiranë. Një nga hallat e mija, u martua në Veleshtë ku edhe sot janë pasardhësit e saj. Në periudhën e krijimit të Prefekturës së “Tokave të Lira”, babai im u instalua në Strugë. Unë kam lindur në Strugë, dy vëllezërit e mi, Remzi dhe Ivzi, qenë nxënës në shkollën fillore me mësim në gjuhën shqipe në Strugë. Në Strugë ka vdekur edhe një vëlla: ilmiu. Përsa i takon pjesës pse u larguam nga Struga, përgjigjja është e thjeshtë fare. Babai punonte furrxhi së bashku me dajën tim Aliriza. Do të bëhej nga qeveria serbe regjistrimi i popullsisë. Një ditë vjen në furrë njëi njohur serb i babait. Ai e këshillon se kur të vijnë tek ty për regjistrimin, mos u shkruaj nënshtetas shqiptar por thuaj se je nënshtetas turk thjesht sipas fesë që ke, sepse po u shkruajte shqiptar do të kesh pasoja dhe do të vuash shumë. Babai iu përgjigj:“Unë jam e do të mbetem shqiptar dhe do të shkoj pranë familjes sime.” Ky ishte shkaku dhe arsyeja që ne u kthyem në Korçë.
Gazeta e Alpeve: – Cili është kontributi i antarëve të njohur të familjes së Murat Bakallit (Sojliu) dhe pasardhësve të tyre?
Lumturi Risvani: – Do të shprehem shkurtazi, sepse kontributi i tyre është i shumanshëm, si politik shoqëror, apo profesional dhe mjaft i gjërë në kohë. Pjestarë të fisit Ed’hem (Bakalli, Sojliu etj) jo vetëm nga familja e Muratit, janë të shpërndarë në shtete e kontinente të ndryshme. Në histori njihet kontributi i paraardhësve të Muratit, stërgjyshit tim. Vetë Murati njihet si mjek popullor dhe që shkonte në fshatrat e largëta për të t’u gjendur pranë të sëmurëve, gjë që i shërbente edhe për aktivitetin e tij në fushën politike. Ai kishte çetën e luftëtarëve të tij ku pjestarë kishte edhe të birin Abdullah Murat Sojliu dhe djemtë e tij: Abdurrahim, Xhemal dhe Sami, si dhe pjestarë të tjerë dhe vepronin në fshehtësi të madhe. Samiu, shërbente si korrier dhe ndërlidhës jo vetëm në mes çetave, por edhe në shpërndarjen e librave shqip që dërgoheshin në Strugë nga Dr. Ibrahim Temo. Çeta e Muratit, e lidhur edhe me çetën e Dibrës, të udhëhequr nga Elez Isufi, dhe me çetën e Njazi Resnjës dhe me çeta të tjera, ka marrë pjesë në shumë luftime kundra serbëve, në kryengritjet përpara dhe pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Atij i është bastisur shtëpia dhe është arrestuar herë pas here së bashku me të dy djemtë Abdullain dhe Nuriun, si në vitin 1898, 1901, 1902, 1907, 1908, etj. Por duke mos u gjetur materiale komprometuese, falë edhe mbështetjes nga populli i Strugës, të detyruar i kanë liruar. Po kështu së bashku me popullin e Strugës dhanë kontributin në rrëzimin nga froni të Sulltan Abdyl Hamidit. Nuriu i dërgon një telegram vëllait të tij Dr. Ibrahim Temos në Kostancë: ”Nga Struga ju japim sihariqin për fitoren e Hyrietit. Në emër të degës Nuri Sojliu, gjë që tregon aktivitetin dhe kontributin e shoqërisë ”Bashkim dhe Përparim” në Strugë.
Për veprimtarinë e Muratit dhe bijve të tij, Murati u zgjodh “Kryetar Nderi” në themelimin e shoqërisë “Bashkimi” në Strugë në gjysmën e dytë të nëntorit 1908. Shoqëritë “Bashkimi” ishin vazhdimësi e Komiteteve të fshehta “Për Lirinë e Shqipërisë”. Kryetar aktiv ishte Rexhep Hajdar Aga; sekretar për shqipen, Abdullah Gojëdrini (pseudonim L.R), sekretar për turqishten, Muhedin Ballhuta, Nuri Sojliu u zgjodh arkëtar- sekretar. Në shtëpinë e Muratit dhe të Beqir Agës u hapën shkollat e fshehta për gjuhën shqipe, gjithashtu u bënë përpjekje për hapje shkolle. Anëtarët e këtij klubi morën pjesë në të gjitha kongreset dhe kuvendet për idenë kombetare si: Dibër, Manastir, Elbasan, i kanë mbështetur vendimet e tyre dhe i kanë zbatuar ato. Djali madh, Abdullai, ka marrë pjesë jo vetëm si antar i çetës së babait të tij që njihet si çeta e Muratit ose çeta e Abdullait dhe në luftrat e zhvilluara, por edhe në Kongresin e Elbasanit, Manastirit, Triestes, etj. Ai shkruante osmanisht dhe shqip dhe fliste edhe në bullgarisht, maqedonisht dhe sërbisht. Ka vdekur në Tiranë, ku ishte vendosur pas Kongresit të Lushnjes. Adullai, me djemtë e tij Abdurrahimin dhe Xhemalin, si pjestarë të çetës, kanë shoqëruar Nuriun dhe shoqëruesit e tij në rrugëtimin për Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë më 28.11.1912. Ka marrë pjesë edhe me çetat e tjera, në të gjitha luftimet e bëra në Strugë, rrethinat e saj dhe më gjerë.
Djali tjetër Ibrahim Murat Temo, pasi ndoqi shkollën e Strugës, vajti dhe mbaroi Universitetin në Stamboll për mjek ushtarak dhe u specializua për okulistikë në Francë. Jeta dhe vepra e tij vlerësohen me përmasa ballkanike, ndërsa Profesor Gazmend Shpuza e vlerëson punën e tij si ajo e Sami Frashërit. Në një ditë maji të vitit 1889, së bashku me Abdullah Xhevdetin, Isak Sykytin dhe me Mehmed Reshidin, themeluan shoqërinë “Bashkim dhe Përparim”. Veprimtaria politike e tij është mjaftueshëm e njohur nga kujtimet e tij për këtë shoqëri rezultat i së cilës u arrit përmbysja e “Sulltanit të Kuq” Abdylhamid. Në këtë lëvizje për përmbysjen e “Sulltanit të Kuq” Abdyl Hamid, pjesmarrësit në të nuk ishin vetëm shqiptarë, por edhe nga kombësi të tjera. Në këtë lëvizje kanë marrë pjesë shumë figura të rëndësishme dhe tepër të njohura si: Ismail Qemali, Dervish Hima, Nexhip bej Draga, Shahin Kolonja, Hoxhë Kadriu, Jashar Erebara, Hamdi Ohri etj. Është arrestuar 1898 në Strugë, disa herë në Stamboll, dhe gjithë jetën e ka ndjekur vendimi i Portës së Larte Osmane për dënimin e tij me vdekje, tentuar edhe për ta helmuar. Ka patur lidhje e korespondencë me shumë figura të rëndësishme dhe tepër të njohura të kohës si shqiptarë dhe të huaj. Ndiqej nga “Porta e Lartë” gjë që e detyroi të largohet nga Stambolli ku punonte si mjek okulistik ushtarak. U arratis nga Stambolli dhe më 1 nëntor 1895 zbret në Kostancë, shkon në Bukuresht e më pas në Mexhidie e në fund në Kostancë. Aktivitetin e tij politik për përmbysjen e Sulltan Abdyl Hamidit nuk e ndali për asnjë arsye. Lidhjet dhe veprimtaria e tij me Strugën dhe shqiptarët ka qënë e pandërprerë. Është hartues proklamatash, memorandumesh, thirrjesh, drejtuar shteteve të ndryshme, për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Një ndër hartuesit e thirrjes “Të zgjohemi” që ishte dhe programi i Lidhjes Shqiptare të Pejës etj. Në tetor të v. 1912 organizoi pritjen që iu bë Ismail Qemalit në portin e Kostancës dhe e shoqëroi për në Bukuresht, ku u pritën nga një numër i madh shqiptarësh. Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit me Ismail Qemalin lidhur me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Ka ardhur në Shqipëri edhe në v.1914 në kohën e qeverisë së Princ Vidit, ku ishte emëruar Drejtor i përkohëshëm i shëndetësisë në krye të një grupi sanitar të Kryqit të Kuq të Rumanisë. Në qeverinë e Princ Vidit ishte emëruar Drejtor i përkohshëm i shëndetësisë dhe së bashku me Dr. Halit Bërzeshta kishin hartuar më përpara, Programin “Për zhvillimin e shëndetësisë në Shqipëri”, në të cilën kishte bërë plotësime Jashar Erebara. Meqë mungonte Hasan Prishtina, në vend të tij me grupin për bisedimet me Haxhi Qamilin u caktua dhe mori pjesë Dr. Ibrahim Temo. Gjithashtu dha ndihmesën e tij për luftimin e sëmundjeve infektive dhe sidomos ndaj malarjes. Ai ishte pjesmarrësnë Konferencën e Paqes në Paris në 1919, si delegat dhe përfaqësues me kompetenca të plota, i kolonive shqiptare në Rumani. Në këtë konferencë ishte dhe Parashqevi Qirjazi, të cilën e vlerëson shumë për zgjuarësinë e saj. Edhe në Rumani ai përsëri vazhdonte veprimtarinë e tij si në fushën politike ashtu edhe sociale. Në Rumani ai u bë edhe Kryetar i Bashkisë së Mexhidies, madje në vitin 1920 zgjidhet anëtar i Senatit Rumun. Veprimtaria e tij është mjaft e gjerë jo vetëm për shqiptarët por edhe popujt që ishin nën sundimin Osman. Ka lënë amanet që trupi i tij të varrosej në Lin të Pogradecit, për të patur përballë Strugën e tij të bukur mbi Drin. Edhe fëmijët e tij vazhduan shkollat e larta. I madhi Skënderi mbaroi për agronomi dhe u sistemua në Stamboll ku edhe sot janë pasardhësit e tij, Ridvani mbaroi studimet në Zvicër dhe mirëmbante vreshtat e të atit, Naimi mbaroi për mjekësi dhe u specializua si i ati në okulistikë dhe jepte mësim si mësues i higjenës në Medresenë e Mexhidies. I biri Alban Naim Temo është inxhinier dhe banon në SHBA. Senia Ibrahim Temo ka qënë martuar me Mehmet Ferhat nga Hirsova që ishte inspektor finance në Kluzha të Transivalnisë. Kanë jetuar në Bukuresht. Kanë djalin Givan, i cili ka një vajzë të quajtur Xhansu. Në vitin 1985 Senia erdhi në Shqipëri në familjen e babait tim. Ka mbetur shumë e kënaqur kur një ditë përpara se të largohej nga Shqipëria, unë e shoqërova për të vizituar Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë dhe pse ishte ditë e diel dhe Muzeu nuk punonte. Posa e mori vesh Drejtori i saj Z. Burhan Çiraku, e priti, e shoqëroi dhe i spjegoi stendë pas stende përmbajtjen e tyre dhe në fund biseda e ngrohte në zyrën e tij. U ndanë duke përgëzuar punën e bërë dhe kënaqësinë që ndjenë.
Djali i tij Nuri Murat Sojli, njëlloj si pjestarët e tjerë përpara tij dhe pasi mbaroi Fakultetin e Ekonomisë në Stamboll, ka punuar si financier në administratën osmane, në vitin 1905 ishte në Shkup, ndërsa në 1908 duke qënë financier në Starovë pushohet nga puna për aktivitet patriotik. Ka patur lidhje me figura të njohura si L. Gurakuqi, H. Prishtina, A. Xhuvani, Kol Bojaxhiun (i ati i Nënë Terezës), Qenan Beun (i shoqi i Alije Hanmit, vajza e Ismail Qemalit) të cilët banonin në Strugë, Mihal Gramenon, Ahmet Daklin, Lef Nosin, Aqif Pashë Elbasani, Nexhip Draga, etj. etj. Ai, së bashku me Myrteza Strugën dhe Zyhdi Ohrin, u zgjodhën delegatë, përfaqësues të Ohrit dhe Strugës dhe morën pjesë në Vlorë më 28.11.1912 dhe firmosën Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Nuriu, bën pjesë në Grupin e Firmëtarëve të Dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntor 1912”, dekoruar me Urdhërin “Nderi i Kombit”, me motivacionin “Për meritat e tyre historike, si figura të shquara të kombit dhe rolin e tyre madhor në krijimin dhe shpalljen e shtetit të lirë e të pavarur shqiptar, si finalizim i luftës dhe përpjekjeve të pareshtura të popullit liridashës shqiptar në rrjedhë të historisë”. Dekorata “Nderi i Kombit” e dhënë për të 40 firmëtarët e Dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u vendos nga Presidenti Bamir Topi në festën e organizuar, më 27.06.2012, në qytetin e Vlorës, në Muzeun e Pavarësisë. Komuna e Strugës vendosi që në 100 vjetorin e Pavarësisë t’i ndërtonte një varr të ri. Ndërtimi i varrit të ri u sposorizua dhe u realizua nga një familje patriote shqiptaree Z. Metali Malo me djemtë Festim, Nderim dhe Kazafer (nga fshati Ladorisht, Strugë), gjest i të cilëve i nderon të gjithë shqiptarët. Ne pasardhësit e Nuriut dhe fisit Sojli e vlerësojmë dhe i nderojmë.
Vijon në numrin e ardhshëm..
Gazeta e Alpeve: – Cili është kontributi i antarëve të njohur të familjes së Murat Bakallit (Sojliu) dhe pasardhësve të tyre?
Lumturi Risvani: –
(Vijon nga numri i kaluar)…
Djali i vajzës së Nuriut, Nadijes që ishte martuar me Emrrullah Gurrëni, cili kishte mbaruar Fakultetin Juridik në Stamboll, nipi i tij Mynyr Emrrullah Gurra, pjesmarrës në çetat partizane në Shqipëri, në Strugë së bashku me Galip Xhemal Sojlin, organizuan dhe rrëmbyen Bankën e Napolit.
Gazeta e Alpeve: – Familja juaj e mbetur, a ka mirënjohje për kontributin e dhënë?
Lumturi Risvani: – Mendoj se jo vetëm ne, pinjollët pasardhës të familjes së madhe Ed’hem, apo me mbiemrat e tjerë siç shpjegova më parë, jemi jo vetëm mirënjohës, por edhe krenarë që jemi pinjollë të këtij fisi dhe përpiqemi që të jemi në gjurmët e tyre. Me të drejtë edhe populli shqiptar në Strugë ka qënë mirënjohës e mbështetës i këtij fisi duke u bërë edhe ata pjestarë të ngjarjeve të kohës, por mirënjohës është i gjithë populli shqiptar pasi me punën e bërë bashkërisht me patriotët e tjerë u arrit dhe u realizua shpallja ePavarësisë në Vlorë dhe në ngjarjet e mëpasme.
Nuri Murat Sojliu- një nga firmëtarët e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare në Vlorën e 1912tës. (Foto arkivore)
Gazeta e Alpeve: – Çfarë ka bërë Struga për këto intelektualë të kalibrit të lartë?
Lumturi Risvani: -Mendoj se vlerësimi i popullit të Strugës ka qënë historikisht pozitiv. Ata i kanë mbështetur dhe ndihmuar si në rastet kur Murati me bijtë e tij në Srtrugë janë arrestuar dhe protestat e tyre kanë detyruar qeverinë turke t’i lironte nga burgosja. Pjestarë në Kryesitë e Shoqërisë ”Bashkim e Përparim“ e më pas Shoqërisë “Bashkimi”. Gjithashtu ka vazhduar më tej
kur bijtë e tyre mësonin fshehtas gjuhën shqipe në shtëpinë e Nuriut dhe tek Beqir Aga. Vendosjen e Xhemal Abdullah Sojlit si Kryetar të Komunës së Strugës, i cili është një nga 80 të vrarët në Tiranë në Masakrën e 4 shkurtit 1944 apo Mentor Xhemal Sojlit, Kryetar i Komunës së Vevçanit, që kishte mbaruar për aktor në Çineçita në Itali, kur dëgjonin këngët e Drita Xhemal Sojlit që kishte mbaruar konservatorin në Itali, këngëtare që në fillimet e Radio Tiranës dhe doli në pension nga Teatri i Operës dhe Baletit në Tiranë. Zgjedhjen e Nuriut si një nga përfaqësuesit delegatë të Strugës dhe të Ohrit në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, mbështetjen e Çetës së Muratit në luftrat e saj para dhe pas shpalljes së Pavarësisë, etj, etj, dhe pas viteve 1990, me vendimet e marra nga Komuna e Strugës si për vendosjen e pllakës përkujtimore ku ka lindur Dr. I. Temo në shtëpinë e familjes së Nuriut, vendosjen e busteve të Dr. Ibrahim Temos dhe Dervish Himës buzë lumit Drin, vendosja e emrit “Ibrahim Temo” shkollës së mesme në Strugë. Po kështu vendimi për ndërtimin e varrit të Nuri Sojliut, Akademi për figurat e nderuara të Strugës, ku kanë bërë pjesë dhe ato të familjes Sojliu, organizim tubimesh dhe homazhesh, etj. etj. Me mirënjohje të thellë, ne pinjollët e fisit ndaj autoriteteve vendore dhe popullit të trevës, i vlerësojmë fort këto veprime atdhetare dhe fisnike.
Gazeta e Alpeve: – Me çfarë merren sot pinjollët e familjes dhe a janë të po atij niveli si ai i të parëve?
Lumturi Risvani: – E kam të vështirë të përgjigjem për veprimtarine e pasardhësve të fisit, sepse janë të shpërndarë në shtete të ndryshme si në Amerikë, Turqi, Rumani, Gjermani, Itali, Greqi, etj. Po mund të flas për vëllezërit e mi. Ivziu, fillimet e shkollës fillore së bashku me Remziun i kanë në Strugë në shkollën shqipe. Më pas i vazhdoi në Korçë. Në Tiranë ka mbaruar Politeknikumin “7 Nëntori” si teknik i mesëm elektrik. Ka punuar në Uzinën Elektro-Teknike dhe është vlerësuar për kontributin e tij në aksionin për elektrifikimin e Shqipërisë. Në ndërmarrjen, Gjeologji-Miniera në sektorin e kërkimeve gjeologjike. Këtu Presidiumi i Kuvendit Popullor i jep Ivzi Shyqyri Përnaskës “Urdhërin për punë të shquar në miniera dhe gjeologji të klasit të tretë” me Dekretin nr. 7286, datë 4 mars 1989, firmosur nga Kryetari dhe Sekretari. Petriti vëllai im i vogël, ka mbaruar Universitetin Shtetëror të Tiranës në degën gjuhësi-letërsi me titull Mësues i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe për shkollë të mesme, ka punuar në Rrethin e Burrelit; redaktor në gazetën “Bashkimi”, mësues në rrethin e Tiranës në shkollën e Marqinetit. Presidenti i Republikës, Sali Berisha, ME Dekretin Nr. 1036, dt. 06.03.1995, i jep z. Petrit Përnaska: Urdhërin “Naim Frashëri i shkallës së dytë” si “Mësues i Merituar”, ku me ceremoni në Këshillin e Bashkuar, sektori i Drejtorisë Arsimore Kamëz Tiranë iu dorëzua ky titull. Remziu, vëllai im i madh, ështëi njohur si në Shqipëri dhe jashtë saj. Pjesmarrës në Kongresin drejtëshkrimor në Tiranë dhe nënshkrues i tij. Pedagog në Universitetin
Shtetëror Tiranë, Fakulteti Histori-Filologji, Dega letërsi-gjuhësi duke nxjerrë breza të tërë studiuesish dhe mësuesish për gjuhën shqipe. Punonjës shkencor pranë Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë në sektorin e gjuhësisë. Ka marrë pjesë në Konferenca Albanologjike për gjuhën shqipe të organizuara në Shqipëri dhe në shtete të ndryshme. Pedagog në Sorbonë (Francë). Ka të botuara dhe të përmbledhur në disa volume studimet. Ka mbrojtur titullin Doktor Profesor. Universiteti “Aleksandër Xhuvani“ në Elbasan, mbështetur në Vendimin e Këshillit të Ministrave, Nr.467, datë 18.07.2007, Senati i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, me propozimin e Rektorit të Universitetit, me vendimin nr. 3, datë 03. 10. 2013 i jep zotit Remzi Përnaska titullin “Doctor Honoris Causa” Me motivacion:”Për kontribut të shquar në fushën e gjuhësisë dhe kulturës shqiptare, për fuqizimin, bashkëkohëzimin dhe përvijimin e infrastrukturës së dijes shkencore dhe të mësimdhënies, si edhe për mbështetjen e kërkimit shkencor në këto fusha në Fakultetin e Shkencave Humane të UE ”A. Xhuvani” Elbasan, më 25.10.2013. Rektori i Universitetit të Elbasanit Liman Varoshi, ndërsa Presidenti i Republikësi jep Z. Remzi Pernaska titullin “Mjeshtër i Madh”, për ndihmesën e shquar në fushën e studimeve gjuhësore shqiptare nëpërmjet studimeve e artikujve, për përgatitjen universitare e pasuniversitare të shumë arsimtarëve e studiuesve, si dhe për ndihmesën e dhënë në përhapjen e kulturës e gjuhës shqipe në botë, si pedagog e si pjesmarrës në shumë konferenca e kongrese ndërkombëtare.” Nr. dekreti 9874, Tiranë, më 21.11.2016. Presidenti i Republikës Bujar Nishani. Përsa i takon pjesës nëse janë të po atij niveli si ai i të parëve, unë nuk jam në gjendje t’i përgjigjem, por mund të them se të gjithë janë përpjekur që të ecin në gjurmët e të parëve. Vlerësimin e bëjnë të tjerët, koha dhe shoqëria.
Gazeta e Alpeve: – A keni ndonjë porosi për qytetarët struganë?
Lumturi Risvani: – Po. Kam një dëshirë që do ta lija si porosi në radhë të parë për pinjollët e fisit tim, historianëve, studiuesve dhe qytetarëve struganë qëtë gërmojnë në libra dhe më e rëndësishmja në kujtesën e popullit në Komunën e Strugës.
Struga e meriton të shkruhet sa më shumë për historinë e saj të lashtë dhe të re.
Porosia dhe dëshira ime është që të shkrueshin gjëra që t’ia transmetonim historinë dhe traditat e popullit, në këtë rast flasim për struganë, por vlen edhe për më gjerë, brezave që vijnë e do të vijnë. Ndoshta kjo dëshirë e imja është se historia mbetet pasioni im.
Strugë-Tiranë, në mars-prill 2020
Fotot botohen për herë të parë në “Gazeta e Alpeve”.