Djegia nga dielli
Ju shtriheni në diell duke shpresuar të merrni një ten ngjyrë ari të shkrirë, ndërkohë që largoheni nga plazhi me pamje si një karavidhe që ka mbetur shumë gjatë në tenxhere. Situatë shumë e njohur për ne apo jo?
Pavarësisht paralajmërimeve shëndetësore për dëmin nga rrezet e diellit, shumë prej nesh ende ekspozojmë lëkurën tonë ndaj rrezeve përcëlluese të diellit.
Më shumë se një e treta e të rriturve dhe gati 70% e fëmijëve e pranojnë se janë djegur nga dielli gjatë vitit të kaluar, sipas CDC.
Ja çfarë duhet të dini se si ta mbani lëkurën tuaj të sigurt dhe ku ta gjeni shpëtimin nga djegia e diellit nëse vazhdoni të qëndroni shumë gjatë të ekspozuar ndaj rrezeve të diellit.
Çfarë shkakton djegien nga dielli?
Tashmë ju e dini shpjegimin e thjeshtë pas djegies së diellit. Kur lëkura juaj është e ekspozuar ndaj diellit për një periudhë të gjatë kohore, përfundimisht ajo digjet, duke u bërë e kuqe dhe e irrituar.
Nën lëkurë, gjërat bëhen pak më të komplikuara. Dielli emeton tre gjatësi valore të rrezeve ultravjollcë:
- UVA
- UVB
- UVC
Rrezet UVC nuk arrijnë sipërfaqen e Tokës. Dy llojet e tjera të rrezeve ultravjollcë jo vetëm që arrijnë peshqirin tuaj të plazhit, por ato depërtojnë edhe në lëkurën tuaj. Deri te dëmtimi i lëkurës vie pra nga dyja rrezet, UVA dhe UVB.
Djegia nga dielli është shenja më e dukshme që ju keni qëndruar jashtë për një kohë të gjatë. Por dëmtimi nga dielli nuk është gjithmonë i dukshëm. Nën sipërfaqe, rrezet ultravjollcë mund të ndryshojnë ADN-në, duke plakur para kohe lëkurën tuaj. Me kalimin e kohës, dëmtimi i ADN-së mund të kontribuojë në kanceret e lëkurës, përfshirë melanomën vdekjeprurëse.
Sa shpejt zhvillohet një djegie nga dielli varet nga:
- Lloji juaj i lëkurës
- Intensiteti i diellit
- Për sa kohë jeni i ekspozuar ndaj diellit
Një grua me flokë bjonde, me sy blu, që bën diell në Rio de Janeiro do të skuqet shumë më shpejt sesa një grua zeshkane në një ditë me diell në New York City.
Simptomet e djegies me diell
Kur ju pësoni një djegie nga dielli, lëkura juaj kthehet në ngjyrë të kuqe dhe dhemb. Nëse djegia është e rëndë, mund të zhvilloni ënjtje dhe fluska të djegies nga dielli. Ju madje mund të ndjeheni sikur keni grip e ethe, me dridhje, mundim, dhimbje koke dhe dobësi.
Disa ditë më vonë, lëkura juaj do të fillojë të qerohet dhe kruhet pasi trupi juaj përpiqet të heqë qafe qelizat e dëmtuara nga dielli.
Trajtimi i djegies nga dielli
Trajtimi i djegies nga dielli është i paraparë në atë mënyrë që të ballafaqohet me djegien në dy fronte: lehtësimin e lëkurës së kuqërremtë, të pezmatuar, bashkë me lehtësimin e dhimbjes në anën tjetër. Më poshtë mund të gjeni disa masa që duhet ndërmarrë në kushte shtëpiake për djegien nga dielli:
Fasha
Aplikoni fasha të ftohta në lëkurën tuaj ose bëni një banjë të freskët për të qetësuar djegien.
Kremra ose xhel
Për të qetësuar lëkurën nga djegia e diellit, fërkoni butësisht përmbi lëkurë një krem ose xhel që përmban përbërës si:
- Mentoll
- Kamfur
- Aloe
Ftohja paraprake e kremës do ta bëjë atë të ndjehet edhe më mirë në lëkurën tuaj të djegur nga dielli.
Anti-inflamatorët jo-steroide
Anti-inflamatorët jo-steroide, si ibuprofen ose naproxen, mund të lehtësojnë ënjtjen e shkaktuar nga rrezet e diellit dhe dhimbjen në gjithë trupin tuaj.
Qëndroni të hidratuar
Pini shumë ujë dhe lëngje tjera, në mënyrë që të mos dehidroheni.
Shmangni diellin
Derisa djegia nga dielli të shërohet, qëndroni larg diellit.
Megjithëse ju mund ta trajtoni vetë djegien nga dielli, kërkoni ndihmën e mjekut nëse vëreni ndonjë prej këtyre shenjave më serioze të djegies nga dielli:
- Temperaturë 39 gradë celzius ose më e lartë
- Të dridhura
- Dhimbje të forta
- Fshika që mbulojnë 20% ose më shumë të trupit tuaj
- Goja e thatë, etje, zvogëlim urinimi, marramendje dhe lodhje, të cilat janë shenja të dehidrimit
Parandalimi i djegies nga dielli
Më poshtë mund të gjeni disa këshilla që do t’ju ndihmojnë për ta mbajtur lëkurën tuaj të sigurt kur jeni jashtë:
Shiqoni orën
Rrezet e diellit janë më të forta midis 10 dhe 16. Nëse nuk mund të qëndroni në shtëpi brenda këtij intervali kohor, të paktën qëndroni sa më shumë nëpër vende me hije.
Vishni rrobat e duhura
Kur duhet të jeni jashtë, vishni veshje mbrojtëse nga dielli, si:
- Kapelë me strehë të gjërë
- Pantollona dhe këmishë me mëngë të gjata
- Syze dielli që pengojnë depërtimin e rrezeve UV të diellit
Përdorni krem dielli
Mbuloni çdo zonë të ekspozuar të lëkurës me krem dielli me spektër të gjerë. Kjo do të thotë krem dielli që mbron nga të dy rrezet, UVA dhe UVB.
Kremi i diellit duhet të ketë një faktor mbrojtjeje nga dielli (SPF) të paktën 30. Ndiqni këto këshilla për aplikimin e kremit të diellit:
- Aplikoni krem të diellit rreth 30 minuta para se të dilni jashtë.
- Përdorni krem për diell edhe në ditë me re, sepse rrezet UV mund të depërtojnë edhe retë
- Përdoreni përsëri kremin për diell çdo dy orë, ose më shpesh nëse djersiteni ose laheni në det.
Përgatiti: Dr Jeton Zenuni
Burimi: WebMD