
Ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya njoftoi sot se 234 kriminelë të rëndë që punonin me bandat e krimit të organizuar janë kapur në një operacion të njëkohshëm të quajtur “Orkinos-Bulut”, që synonte trafikun ndërkombëtar të drogës, ndërkohë që bashkëpunuese në operacion kanë qenë edhe policitë e vendeve të rajonit, si Kosova dhe Maqedonia e Veriut, raporton Anadolu.
Rreth 225 nga të dyshuarit janë arrestuar në Turqi, ndërsa nëntë të tjerët jashtë vendit, tha Yerlikaya në një konferencë shtypi në Ankara.
“Kemi sekuestruar asete me vlerë rreth 13 miliardë lira (341 milionë dollarë), duke përfshirë 681 prona, 127 automjete, aksione në 113 kompani dhe llogari bankare të të dyshuarve, siç janë identifikuar nga MASAK-u (Bordi i Hetimit të Krimeve Financiare)”, tha Yerlikaya.
Yerlikaya tha se operacioni u koordinua nga Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë në bashkëpunim me Departamentin Kundër Narkotikëve, Departamentin e Interpol-Europolit, Departamentin e Policisë së Istanbulit, Bordin e Hetimit të Krimeve Financiare (MASAK), Europolin dhe forcat policore nga Holanda, Gjermania, Spanja dhe Belgjika.
Operacioni u krye njëkohësisht në 20 provinca, me Stambollin si zonën qendrore.
Gjatë operacionit, ai tha se informacione dhe dokumente u shkëmbyen me forcat policore nga Franca, Britania, Australia, SHBA-ja, Greqia, Serbia, Azerbajxhani, Kosova, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Brazili dhe Irani.
“Në operacionin tonë ‘Orkinos-Bulut’, shënjestruam katër grupe të dallueshme të krimit të organizuar ndërkombëtar të trafikut të drogës. Zbuluam se këto organizata kriminale përpiqeshin të prodhonin dhe transportonin kokainë nga vendet e Amerikës së Jugut nëpërmjet rrugëve detare dhe tokësore, heroinë përmes Iranit dhe Afganistanit, ‘skunk’ nëpër vendet e Ballkanit dhe ekstazë nga vendet evropiane në vendin tonë dhe Evropë”, tha ai.
Ai gjithashtu vuri në dukje se kanë zbuluar se këto banda kriminale ishin të përfshira në dërgesën e kimikateve të papërpunuara me origjinë nga Azia Lindore, të cilat përdoreshin për prodhimin e drogës për vendet evropiane.
Ai theksoi se ekipet punuan me shumë zell dhe fshehtësi për tetë muaj në operacion, gjatë të cilit dekoduan me sukses sistemet e enkriptimit të komunikimit të përdorura nga organizatat kriminale.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me Europolin, duke e cilësuar atë një partneritet historikisht të rëndësishëm.
Yerlikaya tha se operacionet e njëkohshme të kryera në pesë vende, duke përfshirë Turqinë, treguan qartë se ata nuk njohin kufij për sa i përket krimit transnacional.
“Edhe ky operacion i fundit ka demonstruar edhe një herë vullnetin e Türkiyes kundër krimit, jo vetëm brenda kufijve të saj, por edhe në nivel global”, theksoi ministri i Brendshëm turk.