
Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale rikujton qytetarët se Shpallja Publike për mbështetje financiare për energjinë elektrike për konsumatorët e cenueshëm – masë që siguron 1,000 denarë në muaj, me qëllim të drejtpërdrejtë uljen e faturave të energjisë elektrike është e hapur edhe disa ditë, transmeton Portalb.mk.
Mbështetja jepet për një periudhë prej 12 muajsh, duke llogaritur nga data e aplikimit, dhe afati i aplikimit është 19 prill.
Qytetarët që plotësojnë kriteret inkurajohen të aplikojnë në kohë dhe të mos e humbasin këtë mundësi për të ulur kostot e energjisë elektrike gjatë gjithë vitit.
Të drejtë për mbështetje kanë:
- Amvisëritë me një ose më shumë fëmijë me aftësi të kufizuara, përfitues të një kompensimi të veçantë, me të ardhura totale neto në vitin 2024 nën kufijtë e përcaktuar (nga 42,000 deri në 80,000 denarë, në varësi të numrit të anëtarëve).
- Kujdestarët, përfitues të ndihmës së kujdesit, të ardhurat e të cilëve nuk e kalojnë pragun e përcaktuar (sipas numrit të anëtarëve në familje (nga 42,000 deri në 160,000 denarë).
Kërkesa dorëzohet me një formular të plotësuar (Formulari 1 ose 2), i disponueshëm në arkivat e Ministrisë dhe në faqen e internetit: www.ea.gov.mk, shoqëruar me dokumentacionin e mëposhtëm:
- Deklaratë e vërtetuar nga noter për saktësinë e dokumenteve të dorëzuara;
- Kopje e Vendimit për kompensim të veçantë ose shtesë për kujdestari;
- Kopje e faturës së fundit të energjisë elektrike të konsumuar;
- Kopje e kartës së identitetit të aplikantit;
- Dëshmi e anëtarëve të familjes.
Për pyetje dhe informacione shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë: ranlivipotrosuvaci@energy.gov.mkdhe në faqen e internetit: www.ea.gov.mk
Ministria u bëri thirrje të gjithëve që plotësojnë kushtet – të shfrytëzojnë mundësinë para se të mbarojë afati.
Ndryshe, në janar dhe shkurt të këtij viti, një pjesë e madhe e amvisërive kanë marrë fatura astronomike të rrymës. Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) thotë se “EVN Home” është e obliguar t’i korrigjojë faturat, por situata nuk është se ka ndryshuar.
Për periudhën për muajt dhjetor dhe janar në “EVN Home” janë dorëzuar gjithsej 15.000 kërkesa për korrigjim të leximeve të matësve për matjen e sasisë së shfrytëzuar të energjisë elektrike.
Por, siç thotë kompania, vetëm 2.200 ose 15% e kërkesave për korrigjim janë pranuar dhe për ato është bërë korrigjimi i faturave. Nga atje thonë se numri i ankesave është 20 përqind më i ulët krahasuar me muajin dhjetor të vitit 2023 dhe muajin janari të vitit 2024.