Çifti në SPB-Shkup denoncoi mashtrimin gjatë blerjes së banesës: Gruaja që u prezantua si avokate na i mori 824.000 denarë

Një çift ka raportuar në Sektorin për Punë të Brendshme në Shkup se është mashtruar nga një grua, e cila sipas tyre është paraqitur si avokate, ndërsa nga ta ka marrë mbi 800 mijë denarë në lidhje me shitjen e një banese, përcjell TV21. 

“Një grua e moshës 24 vjeçare ka raportuar në SPB-Shkup se ajo dhe bashkëshorti i saj janë mashtruar nga një person femër për një shumë prej rreth 824.000 denarëve. Sipas kallëzimit, ajo është paraqitur si avokate dhe pronare e një personi juridik nga Manastiri dhe i ka mashtruar duke i thënë se do t’i lejojë të blejnë një apartament të dalë në ankand me një kontribut prej 30% të kostos totale dhe se 70% e mbetur do të paguhet nga fondet e shtetit. Paratë i janë dhënë personalisht asaj dhe një personi tjetër në tre raste, si dhe u janë dhënë edhe certifikatat e lindjes dhe kopjet e letërnjoftimit. Po merren masa për zbardhjen e rastit”, thonë nga MPB.