
Takim konstruktiv u quajt nga lideri i opozitës Venko Filipçe, takimi me kryeministrin Hristijan Mickoski në qeveri. Kryeministri ka kërkuar nga kreu i opozitës të jenë konstruktiv në përkushtimin për reforma në sistemin për të cilin ka pakënaqësi. Palët kanë rënë dakord për grupe pune për zbatimin e agjendës së reformave në gjyqësor kurse më tej do të vijojnë punën për sektorin e energjetikës dhe shëndetësisë. Metodologjia e punës do të përpunohet ndërkohë.
“Është e nevojshme të mobilizohen të gjithë individët dhe strukturat që mund të kontribuojnë në rrugën e zhvillimit të vendit. Interesat shtetërore të Maqedonisë duhet të jenë pikënisja në diskutimet për çdo çështje, andaj Mickoski i kërkoi Filipçes që të përpiqet të jetë faktor konstruktiv në përkushtimin për ndryshime, reforma dhe përparim. Shteti duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe duhet të bëhen reforma thelbësore në sistemin me të cilin qytetarët janë të pakënaqur, theksoi Mickoski në takim”, thonë nga Kabineti i kryeministrit.
Kreu i opozitës Venko Filipçe tha se ky takim ishte ndërpartiak me kryeministrin i cili i pari pranoi ftesën, kurse hapi i ardhshëm logjik sipas tij, është takim liderësh me të gjitha partitë politike.
“Takim të ardhshëm nuk kemi caktuar. Unë tani do të nominoj disa ekspertë nga sfera e gjyqësorit dhe energjetikës që të kyçen në përpilimin e ligjeve të cilët janë pjesë e agjendës së reformave dhe duhet të dorëzohen në Kuvend. Ky është takim ndërpartiak dhe sigurisht se të gjitha partitë do të ftohen të na bashkohen. Pres që në periudhën e ardhshme mbi bazën e asaj që do ta punojmë si model fillestar të bashkëpunimit, të gjithë liderët e partive politike të ulen në tavolinë”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Në takim është biseduar edhe për ndryshimet kushtetuese, megjithatë Filipçe thotë se qëndrimet për këtë temë mbeten të ndryshme dhe se mbetet të punojnë në atë drejtim. Ky ishte takimi i parë mes dy liderëve, që pas ndryshimit të qeverisë dhe pas ndryshimit të kreut të LSDM-së. /Alsat.mk