
Besimtarët myslimanë nesër do të festojnë Fitër Bajramin. Kjo festë, ndër më të rëndësishmet të këtij besimi, simbolizon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetai, në mesazhin e Bajramit, tha se festa është një mundësi për të forcuar lidhjet me të afërmit, për respekt të ndërsjellë dhe për t’u kujdesur për ata që kanë nevojë.
“Gjatë këtij muaj zemrat tona u mbushën me besim dhe dije, ngritëm moralin, respektin, solidaritetin, humanitetin, tolerancën dhe paqen. Ky muaj na inkurajoi që të punojmë për një të ardhme të qetë, të ndritur dhe pozitive. Për besimtarin, festa e Fitër Bajramit është kulmi i këtyre përpjekjeve dhe një ditë e madhe gëzimi. Është dita e fitores së besimit mbi mosbesimin, e fitores së të mirës mbi të keqen, e fitores së dijes mbi injorancën, e fitores së paqes mbi luftën, e fitores së solidaritetit mbi ndarjen, e fitores së respektit mbi urrejtjen, dhe e fitores së njerëzores mbi jonjerëzoren. Fitër Bajrami është një ditë e veçantë, një ditë që shpreh falënderimin tonë të thellë për përkushtimin ndaj Zotit të Madhërishëm. Pra, le të jetë kjo festë një mundësi për të forcuar lidhjet tona me të tjerët, për të shprehur dashuri dhe respekt për familjet tona, për të shtrirë dorën e pajtimit dhe për të kujdesur për ata që kanë nevojë”, deklaroi Shaqir Fetai, Kryetar i BFI-së. /Alsat.mk