
Veprimet e Izraelit në Gaza, duke përfshirë sulmet në zona të populluara ku janë vrarë civilë, “mbajnë shenjat” e mizorive, thotë Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).
“Ka një shpërfillje të pamëshirshme për jetën dhe dinjitetin njerëzor. Aktet e luftës që po shohim mbajnë shenjat e krimeve mizore,” tha zëdhënësi i OCHA-s, Jens Laerke, në Gjenevë.
Laerke përshkroi një përkeqësim të situatës për civilët, duke thënë: “Spitalet janë përsëri shndërruar në fusha beteje – pacientë të vrarë në shtretërit e tyre, ambulanca të qëlluara dhe punonjës të ndihmës së parë të vrarë. Qindra fëmijë dhe civilë të tjerë janë vrarë në sulmet ajrore izraelite.”
Ai vuri në dukje se Izraeli ka ndërprerë plotësisht hyrjen e ndihmës humanitare.
“Jemi kthyer në pikën ku ishim më parë – vetëm se tani është më keq për shkak të bllokimit të plotë të furnizimeve. Asgjë nuk mund të justifikojë ndëshkimin kolektiv të popullit palestinez. Ligji ndërkombëtar është i qartë, … megjithatë, alarmet që japim raport pas raporti tregojnë një mungesë të plotë respekti për parimet më bazike të njerëzimit.”